Kostot e tuberkulozit, një mjekim 6 mujor kushton 150 euro
Në ditën botërore të tuberkulozit në vendin tonë numërohen 14-15 raste për 100 mijë banorë. Sipas këtyre shifrave aktualisht i bie që të trajtohen rreth 400-500 pacientë në spitalin Universitar Shefqet Ndroqi.
Kostot e trajtimit të sëmurëve me tuberkuloz mbulohen nga shteti. Mjekimi zakonisht është I gjatë dhe varion nga katër në gjashtë muaj. Kostot për një pacient llogariten në 150 euro. Këto të dhëna i bën publike për TV Scan Dok. Shk. Ilirjan Mino.
Në një vit, shteti shqiptar shpenzon rreth 50 mijë euro për trajtimin e pacientëve me mjekimin përkatës.
Edhe pse kushtet në spitalet tona për të trajtuar këtë sëmundje janë përmirësuar ndjeshëm, për rastet më të rënda transferohen për mjekim në spitalin e Pejës.
Sipas një studimi të realizuar në 30 vende të Evropës gjatë vitit 2015 janë regjistruar rreth 60.195 raste të reja me tuberkuloz . Sipas monitorimeve të OBSH këto shifra janë të barabarta me 35.5 raste për çdo 100.000 banorë.
Vdekjet nga tuberkulozi në 2015-n ishin rreth 32.000, mesatarisht me 3.5 vdekje për çdo 100.000 banorë. Edhe pse kushtet e jetesës janë përmirësuar në shumë vende rreziku i infektimit nga tuberkulozi vazhdon të mbetet i lartë. Kështu një i infektuar mund ta kalojë sëmundjen në 10 të tjerë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.