Kostot e ulëta të huamarrjes – Qeveritë e eurozonës kursejnë 1 trilion euro që prej krizës
Vendet e Eurozonës kanë kursyer thuajse 1 trilion euro në kosto të shërbimit të borxhit, që prej krizës financiare dhe qeveritë mund t’i kërkojnë Bankës Qendrore Europiane që t’i mbajë kostot e huamarrjes në nivele të ulëta rekord, deklaron Bundesbank.
Me normat e interesit në nivele të ulëta, Italia ka regjistruar kursimin më të madh krahasuar me periudhën përpara krizës. Sipas Bundesbank, qeveritë që mbajnë nivelet më të mëdha të borxhit do ta kenë të vështirë ta përballojnë, ndërkohë që kostot e shërbimit të borxhit rriten me nisjen e tkurrjes monetare nga BQE. “Ekziston rreziku që gjendja e financave e vendeve anëtare të përkeqësohet, ndërkohë që normat e interesit rriten, duke penguar Bankën Qendrore që të fillojë shtrëngimin e politikave monetare”, nënvizon Bundesbank.
Përveç Italisë, edhe Holanda, Austria, Franca dhe Belgjika kanë pasur kursime të mëdha. Gjermania, ekonomia më e madhe e Eurozonës, ka kursyer rreth 240 miliardë euro, deklaron Bundesbank. Sipas Bankës së Gjermanisë, nëse normat e interesit do të ishin ende në nivelet e para-krizës, shpenzimet për interesa vetëm në vitin e kaluar do të ishin rritur në rreth 2% të PBB nominal të rajonit.
Që prej vitit 2008, kursimet kanë arritur në një total prej 1 trilionë euro, apo në rreth 9% të Produktit të Brendshëm Bruto të Eurozonës. Bundesbank theksoi se Greqia ndodhet në një kategori tjetër, duke qenë se ka marrë 3 paketa të shpëtimit që prej nisjes së krizës. Megjithatë, sipas Bundesbank, Greqia do të kishte kursyer një vlerë prej rreth 21% të Produktit të Brendshëm Bruto në kosto të shërbimit ndaj borxhit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.