Kozmetika fallco u ‘vjedh’ gati 1 miliard euro kompanive italiane dhe rreth 10 miliardë euro atyre europiane!
Falsifikimi në Itali kryesisht prek produkte kozmetike dhe produkte të kujdesit personal, duke shkaktuar një humbje prej 935 milion euro çdo vit. Kjo është ajo që del nga një vlerësim i ri nga Zyra Europiane e Pronës Intelektuale (Euipo) në raportin e vitit 2020 mbi gjendjen e shkeljeve të të drejtave të pronësisë intelektuale. “Në Itali, që nga vlerësimi i fundit ka pasur një rritje prej 225 milion euro” në humbjet e shitjeve të humbura të sektorit kozmetik, shpjegon zëdhënësi i Euipo, Julio Laporta.
Nga të dhënat e mbledhura në analizë, është e qartë se kozmetika dhe produktet e kujdesit personal janë më të prekurat nga falsifikimet dhe shkaktojnë humbje prej 9,6 miliardë eurosh në shitjet e humbura në të gjithë Bashkimin Europian. Sektori i dytë më i prekur nga falsifikimi është ai i lodrave (123 milion euro në Itali dhe 1 miliard në BE), i ndjekur nga verërat dhe alkooliket (300 milion euro në Itali, 2.3 miliardë në BE), dhe nga sektori farmaceutik (900 milion në Itali, 6 miliardë në BE).
Vlera totale e humbjeve për shkak të shitjes në këta katër sektorë, të cilët paraqesin një rrezik të veçantë për shëndetin, është e barabartë me 2.2 miliardë euro në Itali, 19 miliardë euro në Bashkimin Europian. Sipas hulumtimit të fundit nga Euipo, më shumë se 671 mijë vende pune u humbën për shkak të aktiviteteve të paligjshme dhe 15 miliardë euro në vit në të ardhura tatimore në Shtetet Anëtare për shkak të falsifikimit dhe shitjeve të humbura. Për më tepër, sipas hulumtimit, 15% e të gjitha produkteve të falsifikuara në tregtinë ndërkombëtare të sekuestruara nga autoritetet doganore shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale të kompanive me qendër në Itali, duke përfaqësuar një “rrezik serioz për konsumatorët”.
Italia renditet e dyta pas Francës në këtë aspekt (16.6%). Përveç përfaqësimit të dëmit serioz ekonomik, falsifikimi gjithashtu paraqet rrezik për shëndetin e qytetarëve: “97% e mallrave të regjistruar të falsifikuar konsiderohej se ishin një burim rreziqesh serioze”. Këto janë kryesisht rreziqe të shkaktuara nga ekspozimi ndaj kimikateve, goditja elektrike nga produktet e paligjshme, dëmtimi i dëgjimit, zjarri dhe mbytja.(Ansa)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.