KQZ apel qytetarëve: Verifikoni emrin në listën e zgjedhësve dhe vendndodhjen e qendrës së votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën apel të gjithë qytetarët me të drejtë vote të verifikojnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve, si dhe vendndodhjen e qendrës së tyre të votimit. Sipas njoftimit kontrolli i listës së zgjedhësve dhe i vendndodhjes së qendrës së votimit mundet të bëhet duke klikuar në rubrikën “Lista e Zgjedhësve” në faqen e internetit të të KQZ-së www.kqz.gov.al, ose atë të Ministrisë së Brendshme www.mb.gov.al.
KQZ bën me dije se në rast se konstatoni parregullsi tek të dhënat tuaja, apo dëshironi të ndryshoni ose të shtoni të dhëna në ekstraktin zgjedhor, paraqituni menjëherë pranë zyrës së Gjendjes Civile në Njësinë tuaj Administrative.
Gjithashtu, KQZ i bën apel qytetarëve që ju ka mbaruar ose ju mbaron afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit (Letërnjoftim/ ose Pasaportë) deri në datën 25 prill që të aplikojnë për rinovimin e tyre.
Në njoftim shkruhet se procesi i votimit nuk mund të kryhet pa një mjet identifikimi të vlefshëm në ditën e zgjedhjeve. Ndaj, KQZ ju bën thirrje qytetarëve që të mos e lënë për në momentin e fundit por të drejtohen pranë zyrave të kompanisë “Aleat”, për të aplikuar për rinovimin e dokumentit të identifikimit.
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, synohet të implementohet identifikimi elektronik i zgjedhësve, ndaj një dokument i identifikimit i vlefshëm është shumë i rëndësishëm për pjesëmarrjen e individëve në votim.
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.