KQZ gjobit PD – Mosrespektimi i barazisë gjinore i kushton 12 mln lekë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur Partinë Demokratike me 12 milionë lekë, për mospërmbushjen e detyrimit nga ky subjekt për barazinë gjinore në zgjedhjet e 25 qershorit.
Një tjetër masë që do të merret nga KQZ lidhet me ndëshkimin e subjekteve politike, të cilat nuk kanë bërë transparencë sa i përket deklarimit të burimeve që kanë financuar fushatën.
Afati përfundimtar për deklarimin financiar, sipas ligjit, ishte data 25 shtator. Por, aktualisht nga 18 subjekte pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit vetëm 8 parti kanë dorëzuar raportin financiar të fushatës zgjedhore pranë KQZ-së.
Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po punon intensivisht për verifikimin e raporteve të dorëzuara nga partitë politike, nëse janë në përputhje me formatin e miratuar nga KQZ.
Raportet e dorëzuara pranë KQZ-së, do të publikohen në faqen zyrtare, brenda muajit tetor.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.