KQZ: Partitë politike të dorëzojnë deri më 31 Mars raportet financiare të vitit 2016
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu bën thirrje partive politike që tashmë janë regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, të depozitojnë raportet financiare vjetore të vitit 2016, jo më vonë se data 31.03.2017.
Sipas KQZ, detyrimi për deklarimin e raporteve financiare vjetore të vitit 2016, mbështetet në nenit 15/2, neni 23 i ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000, “Për Partitë Politike”, si dhe akteve të miratuara nga KQZ.
“Sipas ligjit “Për Partitë Politike”, partitë politike, dorëzojnë raportet financiare vjetore një herë në vit pranë KQZ dhe duhet të jenë sipas rregullave për raportimin e financimit, për monitorimin, mbikëqyrjen dhe auditimin financiar të partive politike, si edhe duhet të përmbajnë informacion të hollësishëm për:
a) burimet e financimit në bazë të formatit të standardizuar, të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve;
b) shpenzimet;
c) subjektet e lidhura, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, me partitë politike apo që kontrollohen prej tyre, të cilat deklarohen nga vetë partia politike”, thuhet në njoftimin e KQZ.
Raportet duhet të depozitohen nëpërmjet personave përgjegjës për financat e partive politike, sipas formateve të standardizuara për raportimet financiare vjetore të miratuara me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.