Kredi për Elbasan-Qukës e “bypass”-in e Beratit – Miratohet kredia për projektimin, fondet ishin parashikuar për akse të tjerë
Me votat e maxhorancës dhe opozitës, Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar ndryshimet në marrëveshjen e kredisë me shtetin italian për transferimin e fondeve për projektimin e aksit Elbasan – Qukës dhe të bypass-it të Beratit.
Këto fonde ishin parashikuar fillimisht për projektimin e zgjerimit të rrugës aktuale që shkon nga Miloti në Shkodër dhe lidhjes direkte të Vaqarrit me Kavajën, por gjatë diskutimeve në komision u bë me dije se këto akse rrugore janë përfshirë në të tjerë projekte.
Ndërkaq, zgjerimi i aksit Elbasan-Qukës vjen edhe në kuadër të projektit ndërkufitar të Korridorit VIII.
Në total kredia e ndihmës për projektimin e 2 akseve rrugore kap vlerën e 2.1 mln euro, 60% e së cilës është grant. ndërkohë që objektivi specifik i programit është t’i japë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë instrumente projektuese menjëherë të tenderueshme për fuqizimin e qarkullimit përgjatë drejtimeve veri – jug dhe lindje – perëndim, nëpërmjet lehtësimeve për veprat rrugore të sipërcituara.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.