Kredia konsumatore – Rritje me 12% për vitin 2016
Kredia konsumatore është një nga segmentet më të shëndetshëm të kreditimit. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, kredia konsumatore u rrit me 12% krahasuar me të një vit më parë.
Portofoli i kredisë konsumatore të dhënë nga sistemi bankar ka vlerën e afro 39 miliardë lekëve, ose afro 285 milionë eurove, pa përfshirë këtu overdraftet.
Rritja e kredisë konsumatore është mbështetur nga ulja e ndjeshme e normave të interesit dhe nga fokusimi i bankave te kredia për individë.
Vlerat për kreditë konsumatore janë relativisht të ulëta dhe rrjedhimisht ekspozimi i bankës te klientët individualë është mesatarisht më i vogël. Kjo mundëson një diversifikim dhe shpërndarje të lartë të rrezikut kreditor.
Përgjithësisht, këto kredi jepen te klientët pagamarrës në banka, çka mundëson një analizë dhe kontroll të mirë të debitorëve.
Rritja e kredisë konsumatore reflekton edhe një shëndoshje të kërkesës, falë përmirësimit të gjendjes së ekonomisë reale. Vitin e kaluar konsumi privat në ekonomi u përmirësua ndjeshëm.
Sipas Instat, për tre tremujorët e parë të vitit konsumi final i popullatës u rrit mesatarisht me 2.35%, duke dhënë sërish një kontribut në rritjen e prodhimit kombëtar.
Një faktor që ka mbështetur rritjen e konsumit ka qenë edhe kredia bankare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.