Kredia konsumatore – Sezoni veror pritet të rrisë tregun
Përmirësimi i konsumit në ekonomi në vitet e fundit po gjen mbështetje të rëndësishme te kredia bankare. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të marsit, totali i kredisë konsumatore arriti në afro 57 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 5.2%. Oferta më e lartë nga bankat dhe normat e ulëta të interesit po favorizojnë rritjen e këtij segmenti të tregut.
“Sidomos ne vitet e fundit ecuria e Credins është rritur shumë dhe sidomos gjatë sezonit të verës gjatë periudhës qershor-shtator. Kjo është indicia e parë për bankat veçanërisht për Credins për të hartuar një paketë produktesh apo një ofertë për produktet verore. Në ofertat verore që ne dizenjojme ne marrim parasysh nevojat për kredi konsumatore të klientëve tanë por edhe i kombinojmë ato me produktet e tjera të lidhura që mund ti ndihmojnë për të shpenzuar pushimet e tyre apo për financimin e nevojave imidiate. Kryesisht nga të rinjtë vihet re tendenca në rritje për financimin e pushimeve të tyre nëpër kredive apo linjave të kredisë qofshin këto overdraft kredi konsumatore apo karta krediti.”– tha Mirgena Emini, specialiste në departamentin e zhvillimit të produkteve në Credins Bank.
Sezoni veror sjell një rritje të shpenzimeve të familjeve, të lidhura kryesisht me pushimet, çka rrit edhe kërkesën për kredi konsumatore. Mirgena Emini, specialiste në Departamentin e Zhvillimit të Biznesit në Credins Bank, thotë se, nga muaji qershor, Credins Bank do të sjellë një produkt të ri të kredisë konsumatore, që iu krijon më shumë fleksibilitet huamarrësve.
“ Këtë vit kemi vendosur që kredia të jetë më fleksibël në termat e bashkë kredimarrësve apo dorëzanisë, kështu që për shumat deri në 300 mijë lekë banka Credins iu ofron klientëve marrjen e kredisë vetëm pa pasur nevojë të sjellin dorëzanë. Dhe për shumat nga 300-600 mijë lekë klientëve do tu jepet mundësia të marrin kredi me një bashkëhuamarrës familjar, prsh bashkëshorti dhe bashkëshortja do të marrin në total një shumë prej 600 mijë lekë. Pika tjetër eshtë edhe sigurimi i jetës falas, pra klientët nuk do të duhet të paguajnë sigurim jetë për kredi deri në 12 muaj.” – tha Emini.
Kredia konsumatore jepet në shuma mesatare relativisht të ulëta, çka për bankat mundëson uljen e përqendrimit të rrezikut kreditor. Nga ana tjetër, cilësia e portofolit të huasë për kredinë konsumatore është në përmirësim, në linjë me tendencën e përgjithshme të këtij treguesi. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar raporti i kredive me probleme për kredinë e pambuluar me kolateral ra në 13.8%, nga 16.6% që kishte qenë një vit më parë.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.