Kredia për biznesin – Ishte e dobët edhe në tremujorin e dytë të vitit
Kërkesa për kredi e bizneseve ishte e plogësht edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Në përgjigjet e tyre për vrojtimin e aktivitetit kreditues, bankat tregtare raportuan kërkesë në rënie në këtë segment të tregut. Kërkesë më e ulët se një tremujor më parë u raportua për kreditë e marra me qëllim investimi, ndërkohë që për ato të përdorura në financimin e nevojave për likuiditet, kërkesa u perceptua më e lartë. Parë në prizmin e madhësisë së biznesit, rënia më e theksuar e kërkesës për kredi u vlerësua nga ana e bizneseve të mëdha.
Bankat perceptuan se kërkesa më e ulët për kredi erdhi nga nevojat më të ulëta për financimin e investimeve dhe për rifinancimin e borxheve ekzistuese. Nga ana tjetër, ato vlerësojnë se ka patur një përdorim më të lartë të burimeve të brendshme të financimit nga ana e bizneseve. Megjithatë, një faktor tjetër, në gjykimin e bankave, mund të ketë qenë edhe rënia e besimit të biznesit dhe situata e perceptuar ekonomike dhe perspektiva e saj.
Edhe për tremujorin e tretë të këtij viti, bankat presin një kërkesë më të ulët për kredi nga bizneset, e drejtuar nga pritjet për një kërkesë të dobët të kredisë për investime, ndërkohë që kërkesa për kredi në financimin e nevojave të likuiditetit vlerësohet të mbetet e pandryshuar.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, për pesë muajt e parë të këtij viti, kredia e re për bizneset private kishte vlerën e 68 miliardë lekëve, në rënie me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.