Kredia për ekonominë – Arrin vlerën më të lartë në pesë vitet e fundit
Kredia për ekonominë shqiptare u rrit për të katërtin muaj radhazi në muajin gusht. Sipas Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë u zgjerua më tej me rreth 3.5 miliardë lekë. Në total, ai arriti vlerën e afro 561 miliardë lekëve, 5.2% më shumë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Portofoli i huasë bankare ka prekur vlerën më të lartë që nga nëntori i vitit 2014.
Kredia po rritet paralelisht si në segmentin e biznesit, ashtu edhe në atë të individëve. Kredia për individët vazhdon prej vitesh të ndjekë një tendencë pozitive dhe ka ritme më të larta të rritjes. Në fund të gushtit, ajo arriti në afro 193 miliardë lekë, me rritje vjetore me 5.7%.
Por, përcaktuese në rritjen e kredisë ka qenë kthesa në segmentin e biznesit, që ka një peshë specifike më të lartë, me 59% të portofolit total. Kredia për sipërmarrjet private arriti në afro 332 miliardë lekë, në rritje vjetore me 3.2%.
Veç rritjes së huadhënies së re, një ndikim të rëndësishëm ka pasur ulja graduale e efektit kredive të fshira nga bilancet. Që nga viti 2015, bankat kanë fshirë mbi 55 miliardë lekë kredi të humbura.
Kjo ka ndikuar në uljen e raportit të kredive me probleme, por, nga ana tjetër, ka pasur një efekt gërryes në përmasën e portofolit të kredisë, sidomos për bizneset. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se fshirjet janë ulur ndjeshëm, sepse portofolet janë pastruar tashmë nga kreditë e vjetra të humbura.
Huadhënia nga sistemi bankar po zgjerohet, por, edhe po orientohet drejt afateve më të gjata të maturimit, çka e bëjnë rritjen e portofolit më të qëndrueshme në kohë. Banka e Shqipërisë është optimiste se rritja e kredisë për ekonominë do të vazhdojë edhe më tej, e nxitur nga rritja e kërkesës së sektorit privat, normat e ulëta të interesit dhe ulja e raportit të kredive me probleme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.