Kredia për ekonominë – Rritje modeste për muajin shkurt
Kredia për ekonominë është rritur me ritme të zbehta edhe gjatë muajit shkurt. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, kredia arriti vlerën e 545.8 miliardë lekëve, me një rritje modeste prej rreth 600 milionë lekësh krahasuar me janarin.
Me bazë vjetore, kredia është pothuajse në stanjacion, me një ndryshim pozitiv prej vetëm 0.25% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Në një kuadër të dobësisë së përgjithshme të kreditimit, megjithatë, disa sinjale inkurajuese ekzistojnë. Siç u nënvizua të mërkurën nga Guvernatori Gent Sejko, kredia në lekë rezulton në rritje me 11%, duke i dhënë vazhdimësi një procesi gradual balancimi të portofolit të kredisë mes euros dhe monedhës vendase.
Ndërkohë, për shkurtin pati një rritje të lehtë të portofolit të kredisë për biznesin, me afërsisht një miliard lekë.
Rritja e kreditimit të biznesit ngelet çështja më sfiduese për ekonominë dhe sistemin bankar. Këtu bankat po shfaqin kujdes shumë të lartë, për të shmangur ekspozime të mëdha si ato që krijuan edhe vlerat më të larta të kredive me probleme në vitet e krizës.
Rritja, sado e vogël, e shkurtit është pozitive, edhe duke pasur parasysh që tremujori i parë i vitit nuk është periudha më intensive për sa i takon kreditimit të biznesit.
Ulja e kredive me probleme do të jetë një faktor përcaktues për ritmet e rritjes së kreditimit në vijimësi. Gjatë muajit shkurt, u regjistrua një tjetër ulje e lehtë dhe raporti i kredive me probleme zbriti në 18%, niveli më i ulët që nga viti 2011.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.