Kredia për individë në rritje vjetore me 5.3%
Portofoli i kredisë për individë është në rritje me 5.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas Bankës së Shqipërisë, edhe në muajt e parë të këtij viti, rritja u mbështet, si nga kredia konsumatore, edhe nga financimet e reja për blerje banesash.
Në analizën e Bankës Qendrore, kërkesa për kredi në këtë segment është mbështetur nga përmirësimi i tregut të banesave dhe nga zgjerimi i konsumit, por, edhe nga rritja e besimit konsumator.
Në krahun tjetër, bankat i janë përgjigjur kërkesës në rritje lehtësimin e mëtejshëm të kushteve për kreditimin e individëve. Formalizimi i tregut të punës, së bashku me performancën më cilësore të kredisë për këtë segment, e ka bërë kreditimin e individëve më tërheqës për bankat.
Zgjerimi i portofolit të kredisë për individë vazhdon të mbështetet sidomos te kredia në lekë. Në fund të muajit shkurt, kredia në lekë për individë shënoi një rritje vjetore prej 11.4%, më e larta e viteve të fundit.
Nivelet e ulëta të normave të interesit në lekë dhe afrimi i tyre me normat e interesit të kredisë në euro, ka rritur preferencën e publikut për marrjen e kredisë në monedhën vendase.
Bankat presin që edhe në tremujorin e dytë të vitit të vazhdojë tendenca pozitive e rritjes së kreditimit për individët.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.