Kredia për investime – U rrit me afro 6% për tremujorin e parë
Kredia e bizneseve për investime është rritur me 5.8% në tremujorin e parë të këtij viti. Banka e Shqipërisë ka kryer analizën periodike tremujore të kreditimit, duke përjashtuar efektin e pastrimit të portofoleve nga kreditë e humbura, si edhe efektin e kursit të këmbimit. Me këto rregullime, portofoli i kredisë për biznesin rezulton në rritje me 4.3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Produkti që ka dhënë kontributin kryesor në këtë rritje ka qenë kredia për investime, sidomos në sektorin e industrisë. Këto zhvillime kanë ndikuar në një zhvendosje të lehtë të strukturës së portofolit të bizneseve drejt kredisë për investime, që ka arritur në 56% nga 55% që ishte një vit më parë.
Megjithatë, ritmet më të mira të kreditimit, edhe në tremujorin e parë të këtij viti, u realizuan në segmentin e individëve. E pastruar nga efekti i fshirjeve dhe i kursit, kredia për individë u rrit mesatarisht me 8.4% në tremujorin e parë të vitit.
Rritja e tremujorit të parë është mbështetur më së shumti nga kredia për banesa, me rritje vjetore prej 6.2%.
Ecuria pozitive e portofolit të kredisë për individë vijon të mbështetet nga kërkesa në rritje të vazhdueshme, edhe pse në vrojtimin e fundit të aktivitetit kreditues vihet re një tendencë shtrënguese në standardet e kreditimit. Gjatë tremujorit të parë, normat e interesit për kreditë e individëve kanë ruajtur nivelet e ulëta të tremujorit të mëparshëm, si për kreditë në euro, ashtu edhe për ato në lekë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.