Kredia për konsum – 380 milionë euro në fund të gushtit
Kredia konsumatore po rritet me ritme të kënaqshme gjatë vitit 2017. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të gushtit kredia konsumatore rezultonte në rritje me 9% që nga fillimi i vitit.
Portofoli i kredisë konsumatore të dhënë nga sistemi bankar ka vlerën e afro 51 miliardë lekëve, ose rreth 380 milionë euro, duke përfshirë këtu edhe overdraftet. Rritja e kredisë konsumatore është mbështetur nga ulja e ndjeshme e normave të interesit dhe nga lehtësimi i kushteve të kreditimit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar për kredinë për blerje të mallrave të konsumit në lekë ishte 7.8%, ndërsa për kredinë e blerjes së mallrave të qëndrueshëm interesi ishte 7.5%.
Këto vlera janë në rënie krahasuar me fundin e vitit të kaluar, ndërsa rënia është edhe më e thellë krahasuar me vitet e mëparshme, kur interesi i kredisë konsumatore kishte nivele dyshifrore.
Vlerat për kreditë konsumatore janë relativisht të ulëta dhe ekspozimi i bankës te klientët individualë është mesatarisht më i vogël. Kjo mundëson një shpërndarje të lartë të rrezikut kreditor.
Përgjithësisht, këto kredi jepen te klientët pagamarrës në banka, çka mundëson një analizë dhe kontroll të mirë të debitorëve. Kredia konsumatore po mbështet rritjen e kërkesës në ekonomi, në një kohë kur sidomos komponenti i konsumit ngelet ende i brishtë.
Sipas Instat, për dy tremujorët e parë të vitit konsumi final i popullatës u rrit mesatarisht me 2.1%, rritje kjo afërsisht sa gjysma e rritjes ekonomike mesatare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.