Kredia përqendrohet jashtë – Bizneset e huaja favorite, tkurret kreditimi për vendaset
Kreditimi i bankave për bizneset jo rezidente është rritur ndjeshëm gjatë gjysmës së dytë të vitit që lamë pas, ndërsa është ulur për bizneset vendase.
Në raportin e stabilitetit financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2016, bëhet me dije se kredia për bizneset që përfaqëson gati 67 për qind të totalit të kredisë, është zgjeruar me 2.4 për qind në terma vjetorë, e mbështetur pothuajse tërësisht nga ecuria e kredisë për subjektet që nuk ushtrojnë aktivitet në Shqipëri.
Ndërsa kredia për bizneset rezidente shënoi ritme negative duke u tkurrur me 0.8 për qind gjatë viti të kaluar.
Për shkak të kërkesës së ulët dhe dobësisë së ekonomisë së brendshme, bankat janë detyruar të kërkojnë mundësi alternative investimi jashtë vendit. Në raport vlerësohet se sistemi financiar ka performuar pozitivisht gjatë gjysmës së dytë të vitit që lamë pas ndërsa është zgjeruar pesha e bankave në Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Sistemi bankar zgjeroi aktivitetin duke u ngjitur në 94.9 për qind të PBB, duke rezultuar me fitim dhe me tregues të mirë të kapitalit dhe likujditetit.
Gjatë prezantimit të raportit të stabilitetit financiar për 6-mujorin e dytë të vitit 2016, ekspertët e Bankës së Shqipërisë, kanë bërë me dije se depozitat për individët dhe bizneset janë zgjeruar ndjeshëm në raport me kreditë, ndërsa kontributin kryesor në këtë rritje e kanë pasur depozitat në valutë.
Konkretisht pesha e depozitave në valutë është rritur me 53 për qind të totalit, me një kontribut pozitiv si nga depozitat në valutë të individëve ashtu dhe të bizneseve. Depozitat në valutë përbëjnë rreth 51 për qind të depozitave të individëve dhe rreth 65 për qind të depozitave të bizneseve.
Sa i përket kredive me probleme, të dhënat tregojnë se kanë zbritur në 18.3 për qind.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.