Kredia sipas rretheve – Në Tiranë 74% e totalit, “mbulon” 2.8 herë të gjitha rrethet e tjera sëbashku
Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë që i referohen 10 muajve të parë të 2017-ës, tregojnë edhe se si kanalizohet kredia bankare nëpër rrethe.
Nga këto të dhëna, rezulton se, Tirana zë ekzaktësisht 74% të totalit të portofolit të kredisë, pra thuajse tre të katërtat, me 406 miliardë lekë nga totali prej 549 miliardë lekë kredi të dhëna nga bankat gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti.
Të gjitha rrethet e tjera ndërkohë ndjekin me një diferencë mjaft të theksuar. Në vend të dytë renditet Durrësi, me 37 miliardë lekë, ose 7% e totalit.
Kjo do të thotë se, në Tiranë portofoli i kredisë së dhënë është 11 herë më i madh se në Durrës, që është rrethi i dytë me më shumë kredi në rang republike. Pas Durrësit ndërkohë ndjek Elbasani, me 14 miliardë lekë, ose vetëm 3% të totalit në rang kombëtar.
Në krahasim me Tiranën ndërkohë Elbasani ka një portofol kredie të dhënë 30 herë më të vogël.
Pas Elbasanit ndjekin me radhë, Fieri, Vlora, Shkodra, Korça dhe Lezha, ndërkohë që, rrethet e tjera klasifikohen në të tjera, me vetëm 40 miliardë lekë kredi të dhënë. Kjo do të thotë se, kryeqyteti mbulon në masën 2.8 herë të gjitha rrethet e tjera të vendit për nga totali i kredisë së dhënë gjatë 10 muajve të këtij viti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.