Kreditë e buta – Sot afati i fundit, Paskali: Janë kryer rreth 2 mijë aplikime
Përmbyllen sot aplikimet në Bashkinë e Tiranës për të përfituar kredi me normë interesi të ulët. Sipas nënkryetares së Bashkisë Brunilda Paskali, gjatë periudhës 1-mujore, numri i aplikimeve ka arritur në rreth 2 mijë.
Paskali në një prononcim për mediat u shpreh se brenda muajit do të nisë faza e parë e shpalljes së përfituesve.
“Ne edhe sot do të vazhdojmë të punojmë për të pritur qytetarët për të dorëzuar dokumentacionin, që të kemi mundësi nga nesër të fillojmë të shikojmë dokumentacionin, në mënyrë që të kalojmë grupin e parë të personave që mund të mbështeten me kredi të buta nga Bashkia e Tiranës sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht edhe brenda muajit Qershor”.
Paskali theksoi se do të përzgjidhen 1 mijë familje të pastreha që Bashkia do t’u lehtësojë interesat e Kredisë, duke theksuar se prioritet do kenë çiftet e reja.
“Projekti ynë ka në total mbështetjen e 1 mijë familjeve. Por do të themi se ky projekt është parashikuar të përsëritet, pra ne e kemi lënë të hapur mundësinë e përsëritjes edhe në vitet në vazhdim, ashtu siç kemi lënë të hapur edhe mundësinë që nëse numri nuk plotësohet për një arsye apo për një tjetër, të mund të hapet edhe një thirrje tjetër për qytetarët e Tiranës”.
Kredia e butë përfitohet për 20 vite me një interes të pandryshueshëm 3% dhe pjesën tjetër e merr përsipër Bashkia, gjatë gjithë viteve pavarësisht luhatjeve të bursës.
Personat që mund të jenë përfitues të këtij programi social duhet të jenë mbi 18 vjeç, nuk kanë një banesë të tyre, por punojnë dhe kanë një pagë afër 40 mijë lekë në muaj.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.