Kreditë e lira të BQE – Ripagesa e tyre kërcënon rritjen e kostove të huamarrjes në Qershor
Eurozona, përveç rrezikut të ngadalësimit ekonomik, pritet të përballet edhe me një tkurrje të menjëhershme të kushteve financiare në muajin e ardhshëm, nëse bankat në bllok shfrytëzojnë mundësinë për të ripaguar miliarda euro në kredi të lira të marra nga Banka Qendrore Europiane. Ripagesa të tilla mund të rrisin kostot e huamarrjes, gjë që përbën një zhvillim negativ për politikëbërësit, ndërkohë që të dhënat e fundit treguan për një ngadalësim të ekonomisë deri në gjysmën e parë të vitit.
Qershori do të sjellë ripagesat e para për thuajse 400 miliardë euro të operacioneve afat-gjatë të rifinancimit (TLTRO), që janë projektuar nga Banka Qendrore Europiane për të inkurajuar huanë drejt ekonomisë reale. Seria e parë e këtyre u nis në vitin 2014 dhe një tjetër ndoqi në 2016-ën. Këto ofruan bankat me financim pa interes përfshirë mundësinë e zbritjeve, nëse ato do të jepnin hua te bizneset dhe ekonomitë familjare.
Kreditë kishin një afat 4-vjeçar maturimi, me një opsion që të mund të ripaguhen përpara afatit, 2 vite pas ofrimit. Sipas analistëve, ripagesat e kredive të lira në Qershor mund të arrijnë në 110 miliardë euro. Ky vlerësim bazohet në të njëjtën ndodhi në vitin 2013, ku një ripagesë e papritur e kredive të lira 3-vjeçare në 137 miliardë euro të ofruara nga BQE për të luftuar krizën e borxhit, kapi tregjet në befasi. Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se kushtet monetare në Eurozonë janë tkurrur në muajt e fundit, pjesërisht prej fuqizimit të euros në fillim të vitit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.