Kreditë jo-performuese, progres – Raporti i “Iniciativës së Vienës”, Shqipëria dhe Serbia, rezultatin më të mirë
Shqipëria dhe Serbia janë dy vendet në të cilat është vënë re rënia më e madhe e numrit të kredive jo-performuese. Në Shqipëri norma e rënies fiksohet në 6.5% dhe në Serbi me 7.3%, thotë një raport i fundit i Iniciativës së Vienës, i përpiluar nga Banka Botërore, FMN, BERZH, Komisioni Europian dhe Banka Europiane e Investimeve.
Të gjitha vendet e rajonit regjistrojnë gjithashtu një rënie të normës së kredive jo-performuese, por jo në nivelet e Shqipërisë dhe Serbisë. Pavarësisht progresit të evidentuar edhe nga këto institucione, Shqipëria mbetet ndër vendet me normën më të lartë të kredive jo-performuese në rajon, në 14.8%. Kroacia, Serbia, Bullgaria dhe Bosnje Hercegovina janë vendet e tjera të listës me një normë mbi 10%.
Ajo që vihet re tjetër nga ky raport është stoku në bankat shqiptare, në 1.3 miliardë dollarë për 2017. Ky nivel është më i lartë se Moldavia, dhe se Maqedonia apo Mali i Zi.
Por ndërkohë që Shqipëria është më mirë në terma absolutë karshi këtyre dy vendeve të rajonit, në terma përqindje, është më dobët, pasi stoku i parave në banka në vendin tonë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto është në 10.2%, nën nivelin e fqinjëve. Për Malin e Zi kjo normë ngjitet në 23.9%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.