Kreditë me probleme, 11.2% – Tani sfida është ulja drejt vlerave njëshifrore
Raporti i kredive me probleme në ekonomi qëndroi në nivelin 11.2% edhe për muajin korrik. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë konfirmojnë se ky tregues është stabilizuar pranë këtyre niveleve që nga fillimi i vitit. Fakti që raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivele më të menaxhueshme ka ndikuar pozitivisht bilancet e bankave dhe ka përmirësuar ofertën për kredi bankare. Ky përmirësim është veçanërisht i prekshëm në segmentin e individëve dhe të bizneseve të vogla e të mesme.
Megjithatë, potencialet për uljen e raportit të kredive me probleme janë ende të konsiderueshme, duke pasur parasysh edhe faktin që, më në fund, portofoli total i kredisë për ekonominë po rritet gjatë këtij viti. Në fund të korrikut, rritja me bazë vjetore arriti në 4.5%. Kjo është një premisë e rëndësishme për të ulur peshën specifike të kredive me probleme. Por, fakti që një gjë e tillë nuk ka ndodhur dëshmon se edhe stoku i kredive të këqija është rritur ndërkohë. Në këto kushte, ulja e raportit të kredive me probleme në nivele njëshifrore ngelet një sfidë për sistemin bankar.
Parametrat kryesorë të sistemit bankar shqiptarë janë të gjithë në përmirësim të vazhdueshëm. Rezultati financiar është pozitiv, huadhënia po rritet, ndërsa gjendja e kapitalizimit dhe likuiditetit paraqitet në nivelet më të larta të 15 viteve të fundit. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, në fund të qershorit, ishte 18.5%, gjashtë pikë e gjysmë më shumë se niveli i kërkuar rregullator. Ndërsa raporti mes aktiveve likuide dhe pasiveve afatshkurtra, në fund të korrikut, arriti nivelin rekord prej 49.2%.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.