Kreditë me probleme, 17.4% – Niveli më i ulët që nga viti 2011
Raporti i kredive me probleme, në fund të muajit mars zbriti në 17.4%, duke arritur nivelin më të ulët që nga korriku i vitit 2011.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të mërkurën pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, se ulja e mëtejshme e kredive me probleme do të mbështesë përmirësimin e kreditimit të ekonomisë gjatë këtij viti.
Në fund të marsit, kredia për sektorin privat ishte në rritje vjetore me 3.3%, megjithatë, Sejko, iu bëri sërish thirrje bankave të jenë më aktive në huadhënie.
Banka e Shqipërisë ngelet optimiste për gjallërimin e mëtejshëm të ekonomisë gjatë këtij viti, e mbështetur nga normat e ulëta të interesit dhe nga një kërkesë agregate në përmirësim të vazhdueshëm.
Megjithatë, Guvernatori tha se, në afatin e shkurtër, rritja mund të rrezikohet nga tensionet politike, ndërsa në një afat më të gjatë, rreziqet vijnë nga mjedisi i jashtëm ekonomik.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 1.25%. Parashikimet kryesore lidhur me treguesit makroekonomikë mbeten në thelb të pandryshuara. Banka Qendrore pret që inflacioni këtë vit të arrijë në 2.3%, ndërsa vitin e ardhshëm t’i afrohet objektivit prej 3%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.