Kreditë me probleme – Raporti zbret në nivele njëshifrore pas një dekade
Pas më shumë se një dekade, raporti i kredive me probleme në sistemin bankar shqiptar ka zbritur në nivele njëshifrore. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha të mërkurën se ky tregues në fund të nëntorit zbriti në 9.5%. Një raport i tillë i kredive me probleme nuk regjistrohej që nga gushti i vitit 2009.
Ulja e kredive me probleme është rezultat i një sërë masash dhe përpjekjesh, të ndërmarra sidomos nga viti 2013 e në vazhdim. Efektin e parë në uljen e kredive me probleme e dha procesi i pastrimit të portofoleve nga kreditë e humbura, masë kjo e nxitur përmes ndryshimeve rregullative të Bankës së Shqipërisë, në vitin 2016. Më tej, ulja e kredive me probleme u ndihmua nga përmirësimet në procesin e ekzekutimit të kolateralit dhe nga një përdorim më i eficient i ristrukturimit të kredive për huamarrësit në vështirësi të përkohshme.
Këtë vit, ulja e raportit të kredive me probleme po nxitet sidomos nga rritja e ritmeve të kreditimit. Guvernatori Sejko tha se në fund të nëntorit rritja vjetore e portofolit të kredisë arriti në 8%, nëse përjashtojmë efektin e mbiçmimit të lekut dhe të nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilancit. Zmadhimi i portofolit bën që e njëjta sasi e kredive me probleme të ketë një peshë specifike më të ulët, duke ndikuar në uljen e raportit të tyre kundrejt totalit.
Megjithatë, pikërisht në momentin më të mirë, ndodhi tërmeti i fundit të muajit nëntor, që pritet që të japë një ndikim në treguesit e kredive me probleme, për shkak të dëmeve të shkaktuara te bizneset dhe familjet huamarrëse. Megjithatë, në mungesë të një bilanci paraprak të dëmeve, është e vështirë që të vlerësohet impakti që do të ketë kjo ngjarje në sistemin financiar dhe në ekonominë e vendit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.