Kreditë me probleme – Sejko, bankave: Përmirësoni qeverisjen dhe luftoni informalitetin
Në fund të vitit të kaluar, raporti i kredive me probleme zbriti në 8.4%, niveli më i ulët në 11 vjet. Megjithatë, Banka e Shqipërisë tërheq vëmendjen e bankave për të mos përsëritur gabimet që u bënë shkak për krijimin e një raporti shumë të lartë të kredive me probleme, që arriti deri në afërsisht 26%. Gjatë një mbrëmje pune me Shoqatën Shqiptare të Bankave, guvernatori, Gent Sejko, tha se bankat duhet të përmirësojnë qeverisjen e tyre dhe të fuqizojnë strukturat e kontrollit.
Reduktimi i portofolit të kredive me probleme nuk na garanton se ato nuk do të shfaqen përsëri, nëse nuk pranojmë dhe adresojmë problemet dhe gabimet që u bënë gjatë krijimit të tyre. Dhe adresimi fillon nga përmirësimi i qeverisjes. Ngritja dhe fuqizimi i linjave të kontrollit, tërheqja dhe trajnimi i stafit të mjaftueshëm dhe të kualifikuar, por mbi të gjitha, mbikëqyrja efektive nga organet më të larta drejtuese, për të ruajtur balancën e duhur mes oreksit për rrezik dhe objektivave të biznesit janë vetëm disa nga hapat që duhen hedhur në këtë drejtim. Banka e Shqipërisë ka shtuar kërkesat rregullatore për të siguruar rritjen e nivelit cilësor të qeverisjes, por përtej përmbushjes formale të kërkesave rregullative, është e domosdoshme që këto parime të përqafohen dhe të jenë pjesë e kulturës së të gjithë organizatës.
Gjithashtu, Guvernatori nënvizoi se krijimi i një profili të saktë bizneseve kredimarrëse lidhet edhe rritjen e formalizimit të tyre. Ai kërkoi nga bankat që jo vetëm të mos pranojnë deklarime informale si bazë për huadhënien, por edhe t’i shtyjnë sa më shumë klientët e tyre biznes drejt formalizimit, duke i nxitur të qarkullojnë sa më shumë fonde brenda sistemit.
Duke adoptuar një qeverisje më të mirë, e njëjta pritshmëri duhet të transmetohet edhe tek klientët tuaj. Parimi për të mos pranuar të dhëna informale të biznesit në vlerësimin e aftësisë së tij paguese, ka dhënë padyshim rezultate pozitive në parandalimin e krijimit të kredive të reja me probleme, por çështja e informalitetit në ekonomi ende mbetet e prekshme. Më tepër mund të bëhet nga bankat edhe në këtë drejtim, duke ofruar për klientët tuaj dhe duke i nxitur ata të përdorin produkte ekzistuese apo të personalizuara, që sigurojnë një qarkullim të lartë të fondeve brenda sistemit, rrisin ndërlidhjen mes bizneseve dhe klientëve, si dhe lehtësojnë krijimin e një profili më të plotë financiar dhe një vlerësimi më të saktë të aftësisë paguese.
Guvernatori Sejko la gjithashtu të kuptohet një pakënaqësi ndaj qëndrimeve individualiste të bankave të veçanta, kundrejt klientëve me kredi në disa banka të sistemit. Ai u shprej se, për t’iu ofruar ristrukturime efektive klientëve në vështirësi, kërkohet vullnet i mirë nga të gjitha bankat e përfshira. Adresimi i kësaj kategorie të klientëve është objekt i platformës së quajtur “Qasja e Tiranës”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.