Kreditimi i ekonomisë – Rritje modeste për nëntorin
Kredia për ekonominë u rrit lehtë në muajin nëntor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i kredisë arriti në afro 554 miliardë lekë, rreth 1.6 miliardë lekë më shumë krahasuar me tetorin.
Me bazë vjetore, ecuria e kredisë ngelet praktikisht në stanjacion. Portofoli i kredisë për ekonominë është rritur me vetëm 0.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Problemi themelor për rimëkëmbjen e kreditimit të ekonomisë ngelet segmenti i biznesit. Në fund të nëntorit, portofoli i kredisë në këtë segment ishte 10 miliardë lekë më pak krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar. Gjallërimi i këtij tregu ngelet përcaktues, duke qenë se ai përbën mbi 61% të kredisë totale për ekonominë.
Kredia për biznesin vuan një kërkesë ende të zbehtë nga tregu, ashtu edhe një qëndrim shumë të kujdesshëm të bankave, veçanërisht kundrejt bizneseve të mëdha. Nga ana tjetër, kredia dhënë nga sistemi bankar shqiptar për biznesin ka kryesisht një maturitet afatshkurtër. Kjo vjen për shkak të kërkesës së korporatave, që konsiston kryesisht në kredi për kapital qarkullues ose për overdrafte.
Këto kredi zakonisht maturohen në pak se një vit dhe duhen rifinancuar sërish, së paku për të ruajtur të njëjtën përmasë të portofolit të kredisë për ekonominë. Segmenti i individëve ngelet më i shëndetshëm dhe regjistroi sërish një rritje të lehtë për nëntorin.
Vlera totale e kredisë dhënë individëve nga bankat dhe institucionet e tjera financiare ka arritur në afro 176 miliardë lekë, në rritje me 5.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bankat janë më aktive në tregun e individëve, edhe për shkak se përqendrimi i rrezikut të kredisë në huamarrës të veçantë është më i ulët.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.