Kreditimi i bujqësisë – Asnjë gjurmë nga premtimet e bujshme
Në fillim të vitit 2016, qeveria shqiptare dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, prezantuan skemën ambicioze të garancisë financiare për fermerët. Përmes një fondi garancie 75 milionë euro, fermerëve do t’iu krijohej akses në kredi nga bankat tregtare për një shumë prej rreth 300 milionë eurosh.
Në teori, kjo skemë premtonte t’i jepte një stimul të madh kreditimit për bujqësinë nga sektori financiar në vend. Por, çfarë ka ndodhur pas dy vjetësh? E vërteta është që kredia për bujqësinë ka ngelur aty ka qenë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të shkurtit portofoli total i kredisë për bujqësinë ishte 5.2 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, portofoli i kredisë për bujqësinë është zvogëluar me 2.5%.
Ka më shumë se një dekadë që bankierët e kanë shpallur bujqësinë si një prej sektorëve me potencialet më të mëdha për të rritur kreditimin, por shifrat tregojnë se portofoli i financimit të bujqësisë ka ngelur pranë kufirit të pesë miliardë lekëve.
As fondi i garancisë i shpallur me bujë nga qeveria shqiptare dhe as nismat e tjera për nxitjen e sektorit përmes financimeve nuk kanë sjellë ndonjë rritje spektakolare të huave për bujqësinë.
Në dy vitet e fundit, kredia për këtë sektor është luhatur në intervalin mes 4.9 dhe 5.4 miliardë lekëve. Problemi nuk duket edhe aq te mungesa e gatishmërisë së bankave për të kredituar bujqësinë, por te kapacitetet e dobëta të këtij sektori për të përthithur financime, edhe në rastet kur në lojë hyjnë skemat e garancisë.
Kjo dëshmon se është bërë pak për të adresuar problemet reale të bujqësisë, që janë sidomos konkurrueshmëria e ulët, parcelizimi, mungesa e ekspertizës dhe problemet me dokumentet e pronësisë së tokës.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.