Kreditimi i ekonomisë – Bankat “lehtësojnë dorën” për biznesin dhe individët
Rezultatet e vrojtimit të aktivitetit kreditues për tremujorin e dytë të vitit 2017 tregojnë për standarde kreditimi kryesisht të pandryshuara për segmentin e bizneseve, pas katër tremujorësh shtrëngimi të njëpasnjëshëm.
Ndërkohë që standardet e kredisë për likuiditet kanë shfaqur lehtësim, standardet e kredisë për investime janë shtrënguar. Sipas raportit të Politikës Monetare të BSH, ulja e komisioneve ka ndikuar pozitivisht në lehtësimin e standardeve, por kërkesat e rritura për kolateral kanë ndikuar në kahun e kundërt.
Standardet e kreditimit në segmentin e individëve kanë njohur lehtësim edhe në këtë tremujor. Lehtësimi është shprehur më tepër për kreditë konsumatore, ndërsa kushtet për financimin e kredive për shtëpi nuk kanë shfaqur ndryshim.
Përqasja lehtësuese e bankave ndaj këtij segmenti është materializuar nëpërmjet përmirësimit të raportit të këstit ndaj të ardhurave, rritjes së madhësisë së kredisë, zvogëlimit të komisioneve, si edhe lehtësimit të kërkesave për kolateral.
Ndërsa kredia për sektorin privat ka vijuar të shfaqë rritje të moderuar edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, ku portofoli u zgjerua mesatarisht me 2% në terma vjetorë, krahasuar me normën prej 3.1% në tremujorin paraardhës.
Ngadalësimi i rritjes së kredisë për sektorin privat reflekton kryesisht tkurrjen e portofolit të kredisë në valutë (-3.2%), tkurrje e cila mbart efektin e mbiçmimit të monedhës vendase ndaj euros dhe dollarit amerikan, veçanërisht në muajt maj dhe qershor.
Kredia në lekë vijon të karakterizohet nga një ecuri e qëndrueshme, e mbështetur si nga oferta e favorshme për kredi edhe nga kërkesa në rritje për financim në monedhë vendase. Sipas të dhënave nga ky raport, portofoli i kredisë në lekë u zgjerua mesatarisht me 9.3% në terma vjetorë në këtë tremujor.
Raporti i kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së vlerësohet në rreth 36.5% në fund të tremujorit të dytë të vitit. Zhvillimet në aktivitetin kreditues reflektojnë një përmirësim të ngadaltë të kërkesës për kredi dhe kushte të shtrënguara kreditimi për bizneset.
Megjithatë, ecuria e mirë e kredive të reja të disbursuara gjatë pjesës së parë të vitit, si dhe rritja e vazhdueshme e portofolit të kredisë cilësore sugjerojnë përmirësime të vazhdueshme strukturore në tregun e kredive.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.