Kremtohet Kurban Bajrami – Qytetarët falin Namazin në shesh, xhamia gati vitin që vjen
Besimtarët myslimanë festojnë sot festën e Kurban Bajramit, ndërsa qindra qytetarë u mblodhën sot në sheshin ‘Skënderbej’ për të falur Namazin. Në këtë ditë, besimtarët shprehin devotshmërinë e tyre duke bërë kurban e duke u solidarizuar me njerëzit në nevojë. Ndërkohë që, sikurse çdo vit, politikanët kanë përcjellë mesazhet e urimit.
“Në këtë ditë të shenjtë dua të uroj të gjithë besimtarët mysliman, por edhe të gjithë qytetarët për sakrificat e tyre. Uroj që kjo ditë ripërtëritje besimi të ndihmojë për të çliruar shpirtrat nga brengat dhe vështirësitë e përditshme dhe njëkohësisht të japi më shumë forcë edhe besim për të ardhmen. Në këtë ditë sakrificash hyjnore dhe tokësore do të urojë për të gjithë shoqërinë tonë dhe për të gjithë familjet tona më shumë paqe, mirëqenie, harmoni, dhe mbi të gjitha, dashuri për njeriun dhe për njëri tjetrin”, – tha Presidenti Meta.
Nga ana tjetër, kreu i PD, Basha u shpreh: “Dua t’ju uroj të gjithë besimtarëve myslimanë Gëzuar festën e Kurban Bajramit. Është një ditë feste dhe solidariteti mes njerëzve. Është dita kur individi dhe shoqëria bashkohen me përkujdesin ndaj më të pamundurve. Ndaj sot lutjet dhe mendimet e mia janë për më të pamundurit, të vobektit, për ata që jo vetëm sot, por shumicën e vitit i kanë tryezat bosh. Natyrisht për të moshuarit, për të sëmurët, në veçanti për fëmijët. Lutja ime dhe mendimet e mia janë për një shoqëri më solidare, të zemrës së dhimbsur, për një shoqëri me më shumë mundësi, që jo vetëm ditën e Kurban Bajramit, jo vetëm ditën e festave, por çdo ditë, tryezat e shqiptarëve të jenë plot, buzëqeshja të kthehet në fytyrat e fëmijëve dhe familjeve të pamundura. Prandaj kjo është dhe një ditë përkushtimi, zotimi dhe kujtimi për përgjegjësitë e gjithsecilit, në raport me një shoqëri më të drejtë dhe, në veçanti për përgjegjësitë e rënda dhe të rënduara të politikës”.
Festën e uroi edhe kryebashkiaku, Erion Veliaj i cili shtoi se xhamia e madhe që po ndërtohet në kryeqytet do të jetë gati për besimtarët dhe qytetarët pas një viti.
“Ju uroj të gjithëve gëzuar Bajramin. Bashkë me deputetët e Tiranës uruam gjithë kolegët tanë, gjithë miqtë tanë, vëllezërit dhe motrat tona myslimanë të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Më vjen mirë që kemi ecur shumë me punët e xhamisë, do të jemi gati për ta hapur vitin tjetër, kur më në fund komuniteti mysliman i Tiranës do të ketë një hapësirë e cila përveçse një xhami dhe vend i praktikimit të besimit për besimtarët, do të jetë një hapësirë fantastike për qytetin, me qendër kulturore, me muzeun, ndoshta më unik në Europë të bashkëjetesës fetare. Unë besoj se çështja e harmonisë fetare është diçka që kurohet çdo ditë, nuk është diçka që duhet ta marrim për të mirëqenë apo diçka që na vjen si dhuratë nga dikush tjetër, nëse ne vetë nuk investohemi përditë”, tha Veliaj.
Nën frymën e solidaritetit që përcjell kjo festë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shtroi drekën e Kurban Bajramit për të moshuarit që jetojnë në azilin e pleqve në Tiranë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.