Krerët e Bashkive në Gjermani – Projekte të përbashkëta dhe ftesë për investime në Shqipëri
Një delegacion i përbërë nga 8 kryetarë të disa prej bashkive kryesore të vendit, ka vizituar Landin e Veriut të Rhine-Vesfalisë, të Republikës Federale të Gjermanisë. Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me modelet më të mira të politikbërjes dhe administrimit në nivel lokal nga autoritet e qeverisjes vendore gjermane, nisja e bashkëpunimeve përmes projekteve të përbashkëta, si dhe thithja e investimeve gjermane ne vend.
“Kemi diskutuar rreth praktikave të mira në drejtim të menaxhimit, të eficiencës së energjisë, në drejtim të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Dhe pse jo, ne mendojmë se kemi filluar të hedhim bazat e ndërtimit të asaj për të cilën kemi dhe rolin kryesor ne si shoqatë, krijimin e partneriteteve dhe bashkëpunimeve jo vetëm në nivel qendror, por edhe në nivel lokal. Thirrje që të gjithë këtë kapacitet dhe potencial intelektual dhe financiar, drejtojeni pranë Shqipërisë, që me eksperiencat tuaja, me gjithë atë që çka keni marrë nga këto shtete dhe nga ky zhvillim të na i sillni në Shqipëri dhe na i implementoni”
, tha Adelina Farrici, Drejtoresha e Shoqatës për Autonomi Vendore.
Në fjalën e mirëseardhjes, kryebashkiaku i Dyseldorfit, Thomas Giesel, u shpreh se ky takim i parë është vetëm fillimi i një bashkëpunimi afatgjatë mes bashkive të landit dhe atyre shqiptare.
Kjo vizitë 5 ditore është përmbyllur me pjesëmarrjen e kryetarëve në Konferencën “Ditë Dialogu me Diasporën” në Gjermani, kushtuar thithjes së kapaciteteve profesionale dhe financiare të diasporës për të investuar në rajonet e bashkive vendase.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.