Kreu i ESM për Greqinë: “Ndihmat priten shumë poshtë limitit të programit prej 86 mld euro”
Kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit, Klaus Regling, tha se Greqia ka bërë progres të mirë me reformat dhe se nuk do të ketë nevojë për para sa ç ‘planifikohej më parë.
Greqia ka marrë 3 paketa të shpëtimit që prej vitit 2010 dhe e treta përfundon në Gusht 2018. Deri më atëherë, vendi pritet të ketë fituar aftësinë për t’u vetëfinancuar në tregjet e borxhit.
“Vlera e kredisë për Greqinë do të qëndrojë shumë poshtë limitit të programit të tretë të shpëtimit prej 86 miliardë euro”, tha Klaus Regling për Handelsblatt.
Sipas tij, fondet e papërdorura, mund të shkojnë në pagesat e huave drejt kreditorëve të tjerë. Dhënia e lehtësimit të borxhit pritet të jetë pjesë e negociatave mbi përfundimin e programit të Greqisë që do të zhvillohen në muajt e ardhshëm, megjithatë Regling tha se kjo do të varet nga aftësia e vendit për të zbatuar plotësisht reformat dhe me dakordësinë e të gjithë vendeve të Eurozonës.
“Nëse qeveria në Athinë vazhdon me këtë progres, rishikimi i programit të tretë të shpëtimit mund të jetë i shpejtë”, tha ai.
Greqia i është rikthyer gradualisht rritjes ekonomike pas recesionit të ashpër dhe ka kaluar objektivat e arritjes së suficitit primar nga 2016-a e tutje.
Kryeministri Alexis Tsipras tha për Die Welt gjatë fundjavës se pret që programi i shpëtimit të mbarojë brenda kohës. “Kjo aventurë përfundon në Gusht 2018”, tha Tsipras.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.