Kreu i JPMorgan mbi tatimin e të pasurve: “Jam ok, por duhen taksuar të ardhurat dhe jo pasuria!”
Jamie Dimon, ekzekutivi i bankës amerikane JPMorgan, tha se nuk është kundër taksave më të larta ndaj të pasurve, por shtoi se taksa e pasurisë nuk është mënyra e duhur për ta bërë këtë. “Taksa e pasurisë është thuajse e pamundur për t’u aplikuar”,- tha ai, ndërsa pyetej nëse e favorizon propozimin e disa demokratëve. “Nuk jam kundër taksave më të larta për të pasurit. Por kjo bëhet nëpërmjet të ardhurave dhe jo duke llogaritur pasurinë, që është tejet e komplikuar, ligjore, burokratike, rregullatore dhe që njerëzit gjejnë mënyra për ta shmangur”, – tha Dimon, duke shtuar se taksa ndaj të ardhurave është më e vështirë për t’u shmangur.
Të pasurit në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për rritje të taksave në vitet e ardhshme, ndërkohë që defiçitet në nivel shtetëror dhe federal janë rritur për shkak të pandemisë së koronavirusit. Qeveritë kanë rritur shpenzimet për të manaxhuar krizën ekonomike dhe shëndetësore, ndërkohë që në të njejtën kohë, kanë pësuar dhe rënie të të ardhurave. Një studim nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, tregoi se SHBA kanë humbur më shumë të ardhura tatimore se çdo vend tjetër i zhvilluar në vitin 2018, kryesisht prej zbritjeve tatimore të presidentit Donald Trump. Demokrati Joe Biden ka thënë se do të rikthejë pjesën më të madhe të taksave, që sipas disa raporteve kanë qenë në përfitim të bizneseve dhe individëve me të ardhura të larta. Megjithatë, Dimon tha se politikat tatimore të presidentit Trump, bëjnë pjesë tek disa nga gjërat e mira që ai ka bërë për ekonominë amerikane. Ai tha se vendi ka qenë prej kohësh një shoqëri me burokraci të mëdha, ç’ka ngadalëson biznesin. Dimon shtoi se qeveritë duhet të përpiqen të strukturojnë më mirë taksat, në mënyrë që ekonomia të rritet. “Ka taksa që do ngadalësojnë rritjen, si taksat ndaj formimit të kapitalit apo punës, dhe ka taksa që nuk ndikojnë rritjen ekonomike, si për shembull taksat ndaj njerëzve si unë”, – tha Jaime Dimon, ekzekutivi i JPMorgan.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.