Kreu i ri i AKBN – Gjiknuri emëron drejtorin e përkohshëm
Listat e kandidatëve të partive për deputet në legjislaturën e radhës, si dhe marrëveshja politike mes opozitës dhe mazhorancës solli një seri ndryshimesh në pozicionet kyç të administratës.
Agjencia kombëtare e Burimeve të Natyrës i shtohet listës së atyre që kanë ndryshuar së fundmi drejtuesin.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri ka firmosur urdhrin duke lënë përkohësisht në krye të kësaj agjencie Elion Semanajn.
Ky i fundit zëvendëson në këtë pozicion Viktor Tushajn që u largua nga AKBN pasi kandidon nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Lezhë.
Semanaj më herët ka ushtuar funksionin e zëvendësdrejtorit në këtë institucion ndërkohë që emri i tij është lakuar edhe gjatë vitit 2016 kur u hap gara për kreun e KQZ.
Semanaj më vonë do të tërhiqej nga kjo garë. Autoriteti Portual Durrës dhe Avokatura e shtetit janë disa nga institucionet e tjera ku Semanaj ka ushtruar funksionin e juristit.
Që nga ardhja e mazhorancës së re në zgjedhjet e vitit 2013 Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës ka ndryshuar tre drejtues.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.