Kreu i Tatimeve, Vjero: Ekonomia gri mund të reduktohet përmes pagesave elektronike
Pagesat elektronike mund të jenë një instrument për të ulur më tej informalitetin në ekonominë shqiptare. Ky ishte mendimi i shprehur nga Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero, gjatë forumit “Rritja e përdorimit të kartës si instrument pagese”, që u organizua nga Shoqata Shqiptare e Bankave.
“Në Shqipëri, ekonomia gri mund të reduktohet nëpërmjet promovimit të pagesave elektronike apo vendosjes së kufizimeve për shumat që paguhen ‘cash’. Kjo konstatohet kryesisht në marrëdhëniet biznes – konsumator, ku ky i fundit paguan, por shumë herë nuk kërkon faturë. Në këtë mënyrë favorizon padashur ekonominë gri dhe nga ana tjetër biznesi nuk e regjistron këtë transaksion”, tha Vjero.
Sipas Drejtoreshës së Tatimeve ka ardhur koha që të ndërmerren ndryshime ligjore për të lehtësuar tatimpaguesit, me qëllim rritjen e formalizimit të pagesave.
Kjo, sipas Vjeros, mund të arrihet me vendosjen e kufizimeve më të forta në përdorimin e parasë ‘cash’, përmes : zhvillimit të sistemit për pagesat me e- Filing, fiskalizimit, moslejimit të veprime me ‘cash’ për transaksione të kryera midis dy bizneseve, kur vlera e transaksionit kalon shumën 50,000 lekë , si dhe të mos lejohet lejohen transaksione të kryera midis një biznesi dhe një individi, kur tejkalohet një vlerë e përcaktuar.
Forumi kishte si qëllim diskutimin mes përfaqësuesve të sistemit bankar, qeverisë, administratës tatimore, sipërmarrjeve etj. mbi mënyrat e reduktimit të parasë ‘cash’ në ekonominë shqiptare.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.