Krijohet bordi disiplinor i noterëve – Gjoba deri 5 mijë dollarë, pezullim të aktivitetit 5 vite, deri heqje përfundimtare e licencës
Ministria e Drejtësisë ka çelur garën për kandidatët që kanë interes të bëhen pjesë e bordit disiplinor të noterëve. Bordi Disiplinor përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët: 2 anëtarë zgjidhen nga Ministri i Drejtësisë; 2 anëtarë zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e Dhomës, nga radhët e noterëve; dhe 1 anëtar zgjidhet nga Këshilli Pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës, nga radhët e stafit akademik që mbulon fushat e së drejtës civile.
Detyrë e Bordit do të jetë pranimi i ankesave nga qytetarët e bizneseve, hetimi i shkeljeve dhe vendosja e masave ndëshkuese bazuar në rezultatet e hetimeve. Masat e dhenë nga bordi do të nisin nga paralajmërimi me shkrim;
vërejtja me paralajmërim për heqjen e licencës për ushtrimin e profesionit të noterit; gjobë në masën 50 000 deri në 500 000 lekë, afërsisht 5 mijë dollarë; pezullim nga detyra për një periudhë nga një deri në pesë vjet; heqje përfundimtare e licencës për ushtrimin e profesionit të noterit.
Paralelisht, Ministria e Drejtësisë ka shpallur garën edhe për bordin disiplinor të përmbaruesve privatë, një tjetër profesion i lirë që ka pësuar ndryshime thelbësore prej Reformës në Drejtësi.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.