Krijohet Qendra Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore-Firmoset marrëveshja
Një hap i rëndësishëm, për ruajtjen e vlerave kombëtare dhe trashëgimisë kulturore u përmbyll nga Ministrja e Kulturës, Zj.Elva Margariti dhe Albanian American Development Foundation, me kryetar Z. Michael Granoff.
Të dyja palët nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit, për ngritjen e Qendrës Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore.
Kjo njësi është pjesë përbërëse e Qendrës Rajonale të Restaurimit dhe Konservimit të Evropës Juglindore, strukturë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Realizimi i këtij projekti vjen në vazhdën e projektit “Të fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë, për një qasje më të gjerë për të gjithë”, të miratuar nga Bordi i AADF.
Përmes kësaj marrëveshjeje, palët synojnë ngritjen e një zyre për digjitalizimin e koleksioneve muzeale dhe trashëgimisë kulturore, me hapësirë të dedikuar, pajisje teknologjike të standardeve të larta dhe personel të kualifikuar.
E.S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.