Krijohet Ulza Eco Park, destinacion ekoturistik – Klosi bizneseve: Mendoni për agroturizmin
Parku Natyror i Liqenit të Ulzës do të shndërrohet në “Ulza Eco Park”, modelin e parë të destinacionit të ri ekoturistik. Në 5-vjetorin e shpalljes së Liqenit park natyror, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit nënshkroi marrëveshjen për krijimin e këtij parku së bashku me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Bashkinë e Matit dhe Bashkinë e Mirditës, Fondin Shqiptar të Zhvillimit, dhe Agjencinë Rajonale të Zhvillimit 2.
Falë këtij projekti, përveç turizmit kulturor në këtë zonë mund të zhvillohen ecje në natyrë, sporte ujore, vozitje, kajake, itinerare biçikletash, etj.
I pranishëm në këtë event, deputeti Ilir Beqja tha se projekti nëpërmjet investimeve të reja, do të sjellë më shumë begati dhe mirëqenie luginës së Matit, duke zhvilluar turizmin në tre dimensione; rurale, kulturore dhe ekologjike. Ndërsa duhet një qasje e re për profesionet e reja të shërbimit në funksion të turizmit.
Ndërsa Ministri Klosi iu drejtua biznesmenëve të zonës duke i nxitur të krijojnë alternativa turistike në fushën e agroturizmit, ide të cilat mund të mbështeten nga qeveria.
“Është e patolerueshme që në këtë vit, në këtë kohë zhvillimi, në këtë nevojë kaq të madhe që të gjithë njerëzit kanë më shumë alternativë turistike, ne të mbajmë të fshehta bukuri si Ulza, dhe të mos kemi këtu një shans jo vetëm për turistët e huaj, por edhe për turistët e brendshëm, për turistët e vendit të vijnë e të kalojnë baret dhe restorantet e kësaj zone. Prandaj i bëj thirrje të gjithë biznesit privat; mendoni shumë fort për agroturizmin, për të pasur mundësinë që subvencione që vijnë edhe nga institucione shtetërore në partneritet me kaq shumë donatorë që janë këtu me ne dhe që do të doja t’i falenderoja, në këtë festë, të kemi mundësinë që të ndërtojmë arsye pse një turist shqiptar të vijë këtu, por edhe arsye përse një turist i huaj të zgjedhë të presë biletën për të zbritur në Rinas, dhe jo në Zagreb, apo në Podgoricë, në Athinë apo në Romë”, tha Klosi.
Aktiviteti u çel me një lundrim në liqenin e Ulzës, ndërsa në përfundim Ministri Klosi së bashku me deputetin Beqaj dhe ambasadorët e pranishëm vizituan gjithashtu panairin me produkte lokale dhe artizanale të organizuar në sheshin qendror të Ulzës.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.