Krimet mjedisore – Policia e Shtetit procedon penalisht 9 shtetas për prerje të paligjshme të pyjeve
Policia e Shtetit ka bërë me dije se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit, gjatë muajit Nëntor, kanë evidentuar dhe goditur 8 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve dhe kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:
E.Xh., 29 vjeç; Xh. Ç., 21 vjeç; S. M., 57 vjeç; D. H., 35 vjeç; M. M., 25 vjeç; S. B., 73 vjeç; B. J., 38 vjeç; A. Ç., 52 vjeç dhe M. Ç., 37 vjeç.
Sipas njoftimit shtetasit e mësipërm, janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në fshatrat Gjonomadh-Korçë; Dardhas-Pogradec; Vithkuq-Korçë; Arrëz-Devoll; Ersekë; Sovjan dhe Podgorie-Maliq, duke transportuar me mjete të ndryshme, si edhe poseduar në një ambient të tregtimit të drurit, sasi lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës, e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Policia e Korçës, njofton se do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.