Kriptomonedhat dhe mundësitë e shfrytëzimit të tyre për punësim! Vendet e punës që rrjedhin nga monedhat virtuale
Hovi i të ashtuquajturës, monedhë virtuale, bitcoin ka krijuar vende pune në mbarë botën. Kjo industri ka tërhequr pas vetes, nga inxhinierët, e deri te gazetarët, duke qenë kështu një bazë mjaft e mirë e shfrytëzimit të aftësive të kapitalit njerëzor. Ashtu siç investohet në këto monedha, ashtu edhe duhet investuar talenti në fushën e monedhës virtuale, e cila, së fundmi, ka qenë një spektër i gjerë mundësish për treg pune. Më parë, të gjithë ata që kishin investuar në këto valuta virtuale kanë patur shqetësimin, nëse ishte e duhura, në të cilën ata kishin besuar për portofolet e tyre, por tani, kohët kanë ndryshuar, ashtu siç ka ndryshuar dhe paraja. Në përditshmëri, në edicionet e lajmeve, apo në agjencitë e ndryshme të mediave të tjera dëgjohen fjalët “kriptomonedhë” , “bitcoin”, “blockchain”, por pak e dinë se ç’do të thonë. Në Shqipëri, gjithashtu, janë ndërmarrë nisma të këtij lloji, pavarësisht se pjesëmarrja në këto portofole virtuale ka qenë e vogël, e pavarësisht kësaj, edhe këtu ka patur kërkesë për specialistë në këtë fushë, duke filluar, që prej inxhinierëve kompjuterikë, specialistëve të të dhënave, apo edhe këshilluesve financiarë.
Çfarë aftësish nevojiten për të qenë pjesë e tregut të punës së kripto-monedhave?
Aftësitë në teknologji, ashtu siç mund ta kishit imagjinuar, janë thelbësore për t’u afruar në një vend pune në universin e pamatë të monedhave virtuale, pasi shumë prej pozicioneve kërkojnë njohuri të përparuara, siç mund të jenë ato në gjuhën e programimit, “Java”, në “Python”, në inteligjencën artificiale, në “C/C++”, “Node.js”, apo shërbime të “Amazon“-it. Nisur nga këto, nuk do të thotë se nuk ka mundësi për ata që janë në një nivel më pak të përparuar në këto fusha, pasi punonjësit kanë vlerësuar edhe kandidatë me aftësi, (nëse mund të quhen) të lehta, si komunikimi, krijimi, apo zgjidhja e problemeve, por edha ata, të cilët kanë një shpirt sipërmarrës, të vetëmotivuarit dhe ata, të cilët kanë edhe aftësi drejtuese. Agjencia globale amerikane, “monster.com”, e cila është e specializuar në tregun e punës ka hartuar një studim, ku ka arritur në përfundimin se tregu i valutave virtuale është në zgjerim, përpos kurbës që kanë patur këto në treg, në kohët e fundit. Sipas këtij të fundit, kërkesat për vende pune, ku janë përfshirë fjalët kyçe si, “kriptovaluta”, “bitcoin”, apo “blockchain” janë rritur me 194%, në normë vjetore, për periudhën 2017-2018. Bazuar në këto të dhëna do të listojmë disa prej profesioneve, të cilët janë në kërkim nga bota e valutave digjitale, nëpër botë.
Përfaqësues i zhvillimit të biznesit.
Monedhat virtuale janë duke krijuar mundësi të reja biznesi, përgjatë industrive të ndryshme, ku mund të theksohet kujdesi shëndetësor, financa, pasuritë e paluajtshme, etj. Në këtë mënyrë ka nevoje për njerëz që t’i ndjekin këto të fundit, të përmirësojnë marrëdhëniet e produkteve me klientët, si dhe të mbyllin marrëveshje. Prapa një kuptimi të plotë të qëllimit të aplikimit, në një prej këtyre kompanive të monedhave virtuale, përfaqësuesit e biznesit duhet të kenë eksperienca në shitje, si dhe aftësi të shkëlqyera komunikimi. Shumë prej këtyre individëve kanë diploma në biznes, financë, apo shkenca komunikimi dhe paga për këto pozicione, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund të arrijë deri në rreth 46 mijë dollarë në vit.
Shkencëtar i të dhënave
Një prej kompanive të telekomunikacionit në Stamford, Connecticut, ka theksuar se teknologjia e librit gjigant të transaksioneve në monedhë virtuale, apo “blockchain” është relativisht e re dhe, shpeshherë ajo keqkuptohet; gjë që do të thotë se ka një kërkesë shumë të madhe për ekspertë në fushën e shkencës së të dhënave. Detyra e specialistit në këtë fushë është të analizojë të dhënat e transaksioneve, për të ndihmuar inxhinierët, të thjeshtojnë përvojat. Për këtë pozicion kërkohet një diplomë “Master” në një prej shkencave kompjuterike, apo të të dhënave. Aftësitë e forta analitike, si dhe ato të komunikimit janë shumë të rëndësishme, për një pozicion pune të kësaj natyre, si dhe nevojiten për të përcjellë prirjet te krerët e kompanisë. Ky pozicion pune paguhet në rreth 112 mijë dollarë në vit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Analist financiar
Kompanitë, si “hedge funds”, të sigurimeve, apo edhe ato që punojnë me investitorë privatë janë në kërkim të investimit në kriptomonedha. Një ditë e zakonshme në këto përfshin rekomandim investimesh, zhvillim strategjish, (siç mund të jetë, koha më e mirë për të blerë, apo për të shitur), vlerësimesh risku, si dhe mbajtje portofoli investimesh. Aftësitë që kërkohen për këtë vend pune përfshijnë kryesisht një diplomë të nivelit, “Bachelor”, përgjithësisht, si dhe një licencë, ku në Shtetet e Bashkuara lëshohet nga Autoriteti Rregullator i Industrisë Financiare. Pas katër vitesh eksperiencë, disa arrijnë të bëhen analistë financiarë të certifikuar. Përveç kësaj, duke patur aftësi analitike dhe matematike në fushën e kompjuterëve të përparuar analitikë bën që kandidati të jetë mjaft konkurrues, në momentin kur aplikon për punë në fushën e monedhave virtuale. Ai duhet të jetë në gjendje për të kuptuar se si mund të prekin investimet, rregulloret e reja, situatat politike, apo prirjet ekonomike. Paga vjetore mund të arrijë në rreth 82 mijë dollarë në vit.
Gazetar
Të gjithë lajmet që ju dëgjoni dhe lexoni për kriptomonedhat vijnë nga gazetarët. Për të qenë gazetar në këtë fushë duhet të mbulohen sa më shpejt dhe mirë lajmet e fundit nga valutat virtuale. Ky pozicion pune kërkon raportimin për një revistë, gazetë, blog, apo edhe për një markë. Për shumicën e gazetarëve, të cilët e nisin fillimisht si korrespondentë të ndonjë reviste, a gazete kërkohet të ketë një kualifikim “bachelor” në gazetari, shkenca komunikimi, apo ndonjë fushë e ngjashme. Shembujt e shkrimit, (apo raportimit në median vizive, nëse është fusha e interesuar), janë një prej cilësive kryesore që kërkohen për këtë pozicion. Paga mesatare në këtë drejtim arrin deri në rreth 39 mijë dollarë në vit.
Inxhinier kompjuterik
Ju do të ishit shumë i nevojshëm, nëse do të ishit i zoti në fushën e inxhinierisë kompjuterike, sidomos për të ndihmuar botën e monedhave virtuale, nga sulmet e piratëve kibernetikë. Kriptomonedhat ekzistojnë në botën digjitale, kështu që aty ka nevojë për ekspertë, të cilët mund të krijojnë eksperienca miqësore për përdoruesit dhe klientët, nëpërmjet programeve kompjuterike, aplikacioneve, pajisjeve fizike, etj. Këto mund të lehtësojnë sa më shumë eksperiencën e përdorimit nga ana e klientëve. Për shembull: kriptokëmbimi më i madh valutor në botë, “Coinbase” përdor kompjutera, të cilët qëndrojnë larg piratëve kibernetikë, të ashtuquajtur “hackers”. Ky pozicion kërkon aftësi të mëdha të inxhinierisë kompjuterike, pasi inxhinierët duhet të kenë eksperienca në gjuhët e zakonshme të procesimit të algoritmeve dhe analizimit të të dhënave, (NPL).Shumica e këtyre inxhinierëve zotërojnë diploma të nivelit “master” në shkencat kompjuterike, ose edhe “PhD”, si dhe janë të familjarizuar me gjuhët analitike dhe statistike, si “Python” dhe “SQL”. Një inxhinier i tillë, në botën e kriptovalutave fiton rreth 112.5 mijë dollarë në vit.
Manaxher marketingu
Në botën e kriptomonedhave, për të patur sukses, duhet që përdoruesit dhe investitorët, të dinë imtësisht mënyrën se si është ndërtuar dhe si funksionon. Manaxherët e marketingut përllogarisin dhe parashikojnë kërkesën për valutë dhe portofole dhe krahasojnë vlerat. Ata identifikojnë përdoruesit potencialë, mbikëqyrin prirjet dhe zhvillojnë strategjitë, për të ndihmuar njerëzit, në maksimizimin e fitimeve dhe aksioneve. Manaxherët duhet të jenë njerëz që sipërmarrin nisma dhe që kënaqen kur prezantojnë dhe promovojnë produkte nga kompania. Ata nevojiten të jenë krijues, edhe të anës së majtë, edhe të djathtë të trurit; pra, krijues dhe analitikë. Shumica e tyre zotërojnë diplomë të nivelit, “Bachelor”, por përpos kësaj, një pikë e fortë është edhe eksperienca. Përpara se dikush të promovohet si manaxher, prapa, ka disa vite eksperiencë në fushën e marketingut, promocionit dhe shitjeve. Paga mesatare vjetore arrin në rreth 127.5 mijë dollarë
Analist kërkimi
Shumica e industrive të sotme kanë nevojë për analistë kërkimi, por në fushat e reja, ashtu siç është “kripto”, mundësitë për punësim janë të mëdha. Ekspertët kanë theksuar se ky rol është krijuar, për të ndihmuar njerëzit e arsimuar, rreth zhvillimeve në këtë industri, si dhe për të marrë vendime më të mira. Këta analistë duhet të zhvillojnë analiza të qëndrueshme të të dhënave, duhet të mendojnë si strategë, si dhe duhet të kenë aftësi shkrimi e të foluri, të shkëlqyera. Ata duhet të kenë një kuptim të thellë e të gjithanshëm të industrisë së kriptovalutave, të ndryshimit midis tyre, të teknologjive të ndryshme, të platformave të tregtimit dhe të aplikacioneve. Analistët kanë, të paktën, një diplomë “Bachelor” në kërkim tregu, apo në ndonjë fushë të ngjashme. Paga e tyre mund të shkojë deri në 62.5 mijë dollarë në vit.
Arkitekt i sigurisë së të dhënave
Pavarësisht se një prej përparësive të kriptomonedhave është vështirësia e piratimit të sistemit të pagesës, në krahasim me mënyrat e tjera, arkitektët e sigurisë së të dhënave janë shumë të nevojshëm, për të konfirmuar se siguria mbetet e qëndrueshme. Puna e tyre është të krijojnë sisteme, të cilat mbrojnë teknologjinë e kompanisë, nga kërcënimet e jashtme, si dhe nga transaksionet mashtruese. Ata duhet, të paktën, të kenë një diplomë “Bachelor” në një prej fushave kompjuterike, siç mund të jetë teknologjia e informacionit, apo zhvillimi i programeve. Vëmendja ndaj detajeve dhe aftësitë analitike përbëjnë përparësi. Paga mesatare vjetore mund të arrijë në rreth 93 mijë dollarë në vit.
Shkrues teknik
Kompanitë, të cilat krijojnë lloje të reja monedhash virtuale, shpesh shkruajnë një fletë të bardhë teknike, për të tërhequr investitorët. Këto shkrime, zakonisht, zgjasin, nga 20-50 faqe, ku përshkruajnë zhvillimin e kompanisë dhe planin e marketingut për teknologjinë e tyre. Aty, gjithashtu, shkruhet edhe për përmbajtjen e veçantë të industrisë, të informacionit si dhe për kërkimin e mënyrave për të shpërndarë përmbajtjen. Shkruesit, të cilët punojnë në fushën e kriptovalutave duhet të kenë, të paktën, një njohje të mënyrës se si funksionon teknologjia “blockchain”, të kenë aftësi shumë të mira të shkrimit dhe të folurit, si dhe të jenë redaktorë e korrektorë të mirë letrarë. Eksperiencat në mediat sociale, si dhe në marketingun digjital përbëjnë përparësi dhe pagesa e tyre arrin në rreth 70 mijë dollarë në vit.
Zhvillues programesh
Zhvilluesit në fushën “blackchain” kanë për detyrë të shkruajnë dhe të mirëmbajnë kode, shpesh në formën e kontratave, të protokolleve kompjuterike, që mundësojnë njerëzit, për të bërë transaksione, pa patur nevojë për futjen e një pale të tretë, (siç mund të jenë instutitet financiare). Disa prej gjuhëve të zakonshme të programimit në këtë industri janë “JavaScript React”, “Python” dhe “Solidity”. Duke parë që industria është duke ndryshuar dhe zhvilluar shumë shpejt, një programues duhet të ketë aftësinë për të punuar në një mjedis që lëviz shpejt, si dhe të përshtatet e të mësojë gjuhët e reja të kodimit. Fitimi vjetor përllogaritet në rreth 66 mijë dollarë.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.