Kritika ndaj Bankës së Anglisë – Carney mbron projeksionet për goditjen ekonomike të Brexit
Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, mbrojti paralajmërimet e Bankës Qendrore për goditjen ekonomike që do të vijë nga Brexit. Kjo e fundit kishte irrituar deputetët që janë kundër planit të Theresa May për të dalë nga Bashkimi Europian.
Banka e Anglisë deklaroi javën e kaluar se në skenarin më negativ, dalja nga Bashkimi Europian do t’i japë një goditje ekonomisë britanike më të keqe se ajo që morri nga kriza financiare globale. Carney i tha deputetëve se skenarët e Bankës së Anglisë janë bazuar në punë të detajuar parapërgatitore për të siguruar se huadhënësit të jenë gati për Brexit.
“Kemi një ekip të 20 ekonomistëve që kanë punuar për këtë prej vitesh dhe pastaj përfshimë edhe 150 profesionistë të bankës dhe Komisioni i Politikave Monetare e ka rishikuar punën. Nuk është se ne qëndruam zgjuar gjithë natën thjeshtë për t’i dërguar një letër Komisionit të Thesarit”.
Në më pak se katër muaj përpara Brexit, mbetet ende e paqartë nëse Britania do të dalë nga Europa me një marrëveshje të tranzicionit, që do të lehtësojë goditjen ndaj ekonomisë. May ka rënë dakord për një plan me liderët europianë muajin e kaluar, por përballet me kundërshti të madhe në parlament, përfshirë nga vetë partia e saj Konseravatore.
Momenti i së vërtetës do të jetë votimi në parlament në datën 11 Dhjetor. Kritikët pro-Brexit të Guvernatorit, e kanë akuzuar prej kohësh atë për ndërhyrje në debat mbi marrëdhënien e Britanisë me Bashkimin Europian. Ish guvernatori i Bankës së Anglisë, Mervyn King u bashkua me kritikët duke kritikuar përfshirjen e Bankës Qendrore, që sipas tij po përpiqej të frikësonte vendin për Brexit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.