Kritikohet “Provimi për Juristët”, Hoxha: Dublon testimet aktuale. Haxhia: Zgjat pa fund shkollimin
Projektligji për Provimin e Shtetit për Profesionin e Juristit është pritur me kritika të ashpra nga ana e përfaqësuesve të botës akademike si dhe nga dhoma e avokatëve.
Në një tryezë konsultimi për këtë ligj të organizuar nga Kuvendi, Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit të Tiranës Artan Hoxha tha se ky provim do t’i mbivendosej provimeve të tjerë të cilëve i nënshtrohet juristët, siç është ai për avokat apo Shkollës së Magjistraturës.
Kjo do të rriste artificialisht vitet e shkollimit për këtë profesion, por edhe shpenzimet financiare.
Edhe me i ashpër ishte qëndrimi i kreut të Dhomës së Avokatëve Maks Haxhia, i cili akuzoi se shteti synon të zgjasë afatet e shkollimit pasi nuk është i aftë të sigurojë vende pune për profesionistët e rinj.
Haxhiaj nënvizoi gjithashtu edhe dëmin e madh që i është bërë këtij profesioni me licencimin e universiteteve private që kane shitur diploma te pamerituara.
Nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi argumentoi se propozimi për provimin shtetëror të juristëve kishte qëllim frenimin e lëshimit të diplomave të pamerituara nga disa universitete private.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.