Kriza e emigrantëve, Greqia shpërndan nga Prilli karta elektronike, do zëvendësojnë lejen e qëndrimit
Greqia zotohet për të përmirësuar jetesën e emigrantëve të strehuar në ishujt e saj. Konkretisht, ministri për Politikat e Migracionit Yiannis Mouzalas, në një deklaratë për mediat pohoi se kushtet e jetesës së emigrantëve do të përmirësohen.
“Ne jemi duke planifikuar që të ketë vende të reja nëpër ishuj dhe të shfrytëzojmë shtëpitë, në mënyrë që të “zbrazen” çadrat që përdoren nga emigrantët.”, u shpreh Mouzalas. Në këtë mënyrë, pohoi ai do të përmirësojmë kushtet e emigrantëve dhe kjo sipas tij do të kërkojë kohë.
Mbipopullimi në ishuj nga emigrantët, së bashku me përpunimin e ngadalshëm të kërkesave për azil, kanë nxitur tensione dhe shpërthimet dhunës nuk kanë qenë të pakta.
Në lidhje me këtë çështje Mouzalas këmbënguli se situata është mirë dhe të gjithë refugjatët po qëndrojnë në zonat e mbrojtura. Ministri për Politikat e Migracionit më tej shtoi se Greqia do të punojë më shumë për përpunimin e kërkesave për azil, të cilat ai i ka quajtur “Thembra e Akilit”.
Për më tepër, ai pohoi se emigrantët që jetojnë në mënyrë të ligjshme në Greqi do të marrin një kartë elektronike, që do të zëvendësojë lejet e tyre të qëndrimit. Kartë, tha ai, do të përmbajë të dhëna biometrike dhe informacione të tjera dhe do t’i jepet emigrantëve që duan të ripërtërijnë lejet e tyre të qëndrimit, këtu përfshihen edhe të sapoardhurit.
Kartat do të jenë gati deri në Prill, tha ai, duke shtuar se kjo nismë është pjesë e përpjekjeve për të modernizuar sistemin për lejet e qëndrimit, si dhe ndihmon në luftën kundër falsifikimeve. Rreth 60,000 emigrantë, kryesisht sirianë, irakianë dhe afganë janë larguar nga vendet e tyre për shkak të luftës dhe varfërisë dhe janë vendosur në ishujt e Greqisë.
(os.de/scanrtv)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.