Kriza ekonomike e Turqisë – ‘Shqetësohet’ sistemi financiar në Europë
Turqia listohet vitet e fundit si njëra prej ekonomive me rritjen më të shpejtë në botë, por shifrat e saj mbresëlënëse u ushqyen nga borxhi në valutë të huaj. Huamarrja e vendit rezultoi në deficit në llogaritë e saj fiskale dhe ato tregtare. Sipas ekspertëve, Ankaraja nuk ka mjaftueshëm rezerva për ta shpëtuar ekonominë atëherë kur gjërat shkojnë keq.
Situatën duket se e ka rënduar edhe më shumë preferenca e presidentit Erdogan për t’i mbajtur të ulëta normat e interesit, megjithëse inflacioni është tre herë më i lartë sesa objektivi i Bankës Qendrore. Rënia e monedhës turke ka ngjallur frikë edhe përtej kufijve. Nuk janë të paktë ata që i druhen cenimit të sistemeve bankare europiane nga kjo situatë.
Erdogan i hedh poshtë pretendimet se ekonomia turke po përballet me telashe serioze, por flet për komplote të thurura kundër vendit të tij, duke përmendur një operacion të mirëorganizuar kundër Turqisë. Mirëpo, Uashingtoni kërcënoi që do t’i shtrëngojë masat ekonomike mbi Ankaranë, nëse nuk lirohet prifti protestant amerikan, Andrew Brunson, i burgosur atje prej dy vitesh nën pretendimet e lidhjeve me grupe të paligjshme politike.
Përplasjet mes dy aleatëve të NATO-s i kanë parë secilin prej tyre të vendosin tarifa mbi palën tjetër, gjë që e përkeqësoi krizën e lirës turke, e cila që prej janarit ka humbur gati një të tretën e vlerës përkundrejt dollarit amerikan.
Sigurisht që, edhe vendi ynë është i shqetësuar nga kriza që ka prekur Turqinë, pasi është vendi i dytë më i madh importues në Shqipëri, pas Italisë, me 500 milionë dollarë importe në vit. Ndërkohë që eksportet shqiptare drejt Turqisë janë më të ulëta, vetëm 20 milionë dollarë.
p.s/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.