Kriza energjitike / Kosova ndalon prodhimin e kriptovalutave në gjithë vendin
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot vendimin për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në Kosovë.
Rizvanolli ka njoftuar se këtë vendim, qeveria e ka marrë me rekomandimet e Komitetit Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.
Si rrjedhojë, këto masa përfshijnë edhe ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë territorin e Kosovës, pasi të njëjtat shpenzojnë shumë energji për prodhim.
Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të ministrisë, kjo e fundit ka njoftuar se të gjitha institucionet relevante obligohen të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave si dhe ta ndalojnë menjëherë aktivitetit në fjalë.
“Në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës kemi themeluar Komitetin Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.
Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore.
Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Rizvanolli.
“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave.
Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.