Kroacia bashkon territoret – 357 milionë euro për urën e Pelješacit
Kroacia po vazhdon të përfitojë në shifra maksimale nga fondet e Bashkimit Europian. Të mërkurën, Komisioni Europian caktoi 357 milionë euro për të ndërtuar një urë, e cila do të lidhë pjesën më jugore të vendit dhe Dubrovnikun me pjesën tjetër në brendësi të Kroacisë.
Ndërtimi i urës së Pelješac-it do të financohet në 85% nga BE dhe do të përmirësojë ndjeshëm jetën e përditshme të qytetarëve kroatë, duke ulur kohën e udhëtimit mes Dubrovnikut dhe Spiltit.
“Ne jemi një komision që ndërton ura, literalisht. Ky projekt përfshin përkushtimin tonë për të hequr barrierat, për të bashkuar territoret dhe për të sjellë njerëzit pranë me njëri tjetrin. E di sa sa shumë është pritur kjo urë nga populli kroat dhe jam e lumtur që BE, dhe fondet e tij, mund të jenë pjesë e një kapitulli të ri në historinë e vendit”, u shpreh Corina Cretu, Komisionerja për politikat rajonale.
Aktualisht, e vetmja mënyrë kalimi është korridori Neum, një rrip bregdetar që i përket Bosnje dhe Hercegovinës.
Ura do të kalojë nga Gjiri Mali Ston në Detin Adriatik dhe do të lehtësojë lëvizjen e mallrave dhe njerëzve, sidomos në pikun e sezonit turistik.
Ura 2,4 kilometra e gjatë, që pritet të përfundojë në vitin 2022, do të jetë 55 metra e lartë dhe do të ketë 4 korsi.
Pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, vetëm për periudhën 2014-2020, Kroacisë i janë alokuar 10,74 miliardë euro nga fondet e unionit. Me 1,9 miliardë kontribut shtesë kombëtar, buxheti total i Kroacisë për investime në fusha të ndryshme si kërkimi, inovacioni, punësimi, edukimi, infrastruktura, etj, shkon në 12,67 miliardë euro.
Angelo Haruni/SCAN
Kroacia do të shpenzojë 101 milionë dollarë për internetin
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.