Kroacia, pjesë e sistemit të informacionit Schengen – Merr edhe 95 mln euro nga BE për terminalin e ri
Duke nisur nga dita e sotme, Kroacia është e lidhur me Sistemin e Informacionit Schengen, sistemin më të përdorur të shpërndarjes për sigurinë dhe menaxhimin e kufijve në Europë. Kroacia tanimë do të mund të japë e marrë informacione me shtetet e tjera anëtare të BE, lidhur me persona të kërkuar për krime të rënda ose terrorizëm, persona të humbur apo objekte të veçanta si automjete të vjedhura, armë zjarri, etj.
Integrimi i Kroacisë në këtë sistem, që përdoret nga vendet e BE së bashku me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin, do të shkurtojë kohën e kalimit në kufi, sidomos në kufijtë tokësorë mes Kroacisë dhe Sllovenisë.
Ndërkohë, ditën e martë u njoftua gjithashtu se Kroacia do të përfitojë nga një investim prej 95 milionë eurosh për të përfunduar ndërtimin e një terminali të ri në aeroportin e Dubrovnikut.
Aktualisht aeroporti po funksionon pranë kapacitetit të tij maksimal, dhe shërben si një nga portat kryesore hyrëse të turistëve në vend. Duke qenë se turizmi është një burim i rëndësishëm të ardhurash për Kroacinë, përmirësimi i aeroportit të Dubrovnikut mendohet se do të jetë një përfitim i madh për ekonominë.
Terminali i ri do të jetë eficient energjitikisht dhe do të përballojë një fluks të dyfishuar turistësh deri në vitin 2032, pra nga 2 milionë pasagjerë në vit në 4 milionë.
Financimet në fushën e turizmit janë një nga kolonat e investimeve europiane në Kroaci. Deri në vitin 2020, Kroacia do të përfitojë fonde të tjera të Bashkimit Europian në fushën e agrikulturës, mjedisit dhe energjisë, biznesit, edukimit, përfshirjes sociale, punësimit, administratës publike, si edhe infrastrukturës ICT.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.