Kromi mbaron për 8 vite/Ministria e Financave: Po e shterojnë eksportet, duhen frenuar
Ministria e Financave në relacionin që shoqëron paketën fiskale në zërin e taksave kombëtare jep një të dhënë alarmante; kromi në Shqipëri do të mbarojë për 8 vite.
Kjo pasi hapi i eksportit është mjaft i madh, në 500 mijë tonë në vit, dhe 135 mijë tonë të tjera shkojnë për përpunim brenda vendit, në një kohë që rezervat e kromit në Shqipëri vlerësohen në 5.5 milionë tonë.
Sipas Ministrisë së Financave, me ritme të tilla, kromi do të mbaronte për 8 vite ndërkohë që industria e ferrokromit në vendin tonë do të duhej të mbyllej pas 10 viteve.
Për këtë arsye, qeveria shqiptare ka vendosur që të zgjasë këtë periudhë duke shkurajuar eksportin e kromit, dhe nxitur njëkohësisht volumin e përpunimit të kromit brenda vendit, çka do të rrisë edhe vlerën e shtuar në ekonomi.
Kjo do të arrihet nëpërmjet rritjes së rentës minerare për kromin, në 9%, nga 6% që është aktualisht.
Ky propozim është pjesë e paketës fiskale që do të votohet në Parlamentin e Shqipërisë së bashku me buxhetin e vitit 2019 e që do të hyjë në fuqi më 1 Janar të vitit të ardhshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.