Kronologjia/Faza e re e anti-informalitetit, por çfarë ka ndodhur me të ardhurat?
Gjysma e parë e vitit duket jo mirë në aspektin e mbledhjes së të ardhurave. Thuajse çdo muaj, fiskalja ka dëshmuar mosrealizime të theksuara në krahasim me planet e fillimvitit.
Zëri më “problematik” në këtë drejtim rezulton të jetë Tatimi mbi Vlerën e Shtuar që është një tatim i përgjithshëm, mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve.
Pak ditë më parë, ministrja e Financave mblodhi në një takim administratën tatimore për të analizuar bilancin e punës ndërsa më pas, Këshilli i Ministrave publikoi vendimin e shkarkimit të kreut të Tatimeve.
Vendimi duket se erdhi si reflektim i asaj çfarë ka ndodhur me realizimin e planit të mbledhjes së të ardhurave.
As një javë nga lirimi nga detyra e Kreut të Tatimeve, Enton Duro, Kryeministri Edi Rama prezantoi publikisht drejtuesin e ri, që tashmë do të lerë detyrën në krye të Institutit të Statistikave për të marrë detyrën e re që paraqitet me një mision të vështirë.
Në fjalën e tij, kryeministri e cilësoi si shqetësuese situatën e informalitetit në vend, duke e krahasuar edhe me periudhën para nisjes së fushatës anti-informalitet. Shkak për këtë, sipas kryeministrit, është situata e tensionuar politike.
Kryeministri evidentoi si problematika kryesore moslëshimin e kuponit tatimor, evazionin fiskal te subjektet turistike si dhe mosdeklarimin e punonjësve. Në këto kushte, ai paralajmëroi një fazë të re të fushatës anti-informalitet, duke veçuar faktin se ato biznese që do të kapen duke ofruar shërbime pa lëshuar kupon tatimor, do të përballen me bllokimin e aktivitetit.
Por çfarë ka ndodhur me të ardhurat?
Ministria e Financave do të bëjë publike së shpejti të dhënat lidhur me mbledhjen e të ardhurave për muajin qershor, që do të japin një panoramë edhe më të qartë të asaj çfarë ka ndodhur. Deri më tani, kemi një panoramë të 5 muajve të parë të vitit. Mirëpo, çfarë ka ndodhur konkretisht me të ardhurat e grumbulluara nga tatimet në këtë pjesë të parë të vitit?
Të ardhurat nga tatimet, për periudhën Janar – Maj 2019 rezultojnë të kenë ‘devijuar’ nga parashikimet paraprake. Buxheti i Shtetit ka mbledhur nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në këtë pesëmujor të parë të vitit, 54.9 miliard lekë, ndërkohë që planifikimi ishte 59.2 miliadë lekë.
Kjo periudhë, vetëm nga TVSH- ja, ka pasur një mosrealizim prej 4.3 miliardë lekësh. Po njësoj, edhe të ardhurat nga taksat nacionale dhe të tjera kanë dalë ‘jashtë parashikimeve’. Nga 16 miliardë lekë që ishin planifikuar paraprakisht, ky pesëmujor ka mbledhur 14 miliardë lekë, larg objektivit me 2 miliardë lekë.
Megjithatë, të ardhurat e mbledhura nga Tatimi mbi Fitimin dhe mbi Të Ardhurat Personale i kanë kaluar pritshmëritë. Këto të fundit, në fakt, kanë ndjerë një realizim mbi 100% në periudhën Janar – Maj 2019.
Plani për të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin ka qenë 15.7 miliardë lekë, kurse faktikisht janë mbledhur 17.6 miliardë lekë. Kurse, për të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale, planifikimi ka qenë për 16.5 miliardë lekë, ndërsa në total, janë mbledhur 18.4 miliardë lekë.
Të dy këto të fundit, për periudhën Janar – Maj 2019, i kanë dhënë Buxhetit të Shtetit një ‘shtysë’ me afro 4 miliardë lekë, edhe pse krahasuar me ‘humbjet’, janë pothuajse të papërfillshme.
Gjithsesi, përtej mosrealizimeve, një element vështirësie që i shtohet punës edhe administratës është edhe efekti i kursit të këmbimit.
Mbetet për t’u parë ecuria në vijim, nëse muajt e mbetur të vitit do të sjellin një “përmbysje të rezultatit” ose jo….
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.