Kryebashkiaku i Tiranës inspekton punimet për rikonstruksionin e Shkollës së Baletit. Veliaj: Premtim i mbajtur
Në shtator, në 60-vjetorin e ndërtimit të saj, Shkolla e Baletit do të hapë dyert për të mirëpritur nxënësit pas rikonstruksionit të plotë nga Bashkia e Tiranës. Godina e rrënuar nga amortizimi, si pasojë mungesës së investimeve për vite me radhë, sot është transformuar tërësisht në një shkollë moderne për edukimin e artistëve të rinj. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Administratori i Njësisë nr.2, Elez Gjoza, inspektoi ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e shkollës, ku theksoi se ky është një premtim i mbajtur nga ana e bashkisë.
Veliaj tha se shkolla të tilla janë një vlerë e shtuar për nxënësit e rinj, sepse më pas, ata si artistë bëhen ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë.
“Jam shumë entuziast për ecurinë e punimeve te Shkolla e Baletit. Kjo shkollë, ashtu si Liceu Artistik, kanë prodhuar ‘ambasadorët’ më të mirë të Shqipërisë në botë, për imazhin e vendit. Besoj se është në nderin tonë që, teksa i afrohemi gjysmës së mandatit në Bashkinë e Tiranës, të paktën shkollat kombëtare t’i sjellim në kushte optimale studimi, ashtu siç bëmë edhe me Liceun”, tha kryebashkiaku.
Ai deklaroi se tashmë qytetarët e bëjnë kollaj dallimin mes atyre që janë të fokusuar te puna dhe atyre që humbasin kohë me fjalë. “Për qytetarët e Tiranës është bërë e qartë se shoqëria, duam apo nuk duam ne, është e ndarë në dy pjesë: një pjesë që është e fokusuar te puna, investohet te puna, dhe pjesa tjetër që po mundohet të kthejë Shqipërinë e llafeve, thashethemeve, të bllokimit. Unë besoj se njerëzit janë më entuziastë për të ndërtuar më shumë shkolla, se sa për të ngritur më shumë çadra; janë më optimistë për të ndërtuar më shumë rrugë, se sa për të bllokuar rrugë; janë më të gatshëm që të fokusohen te puna, se të fokusohen te gjumi”, tha ai.
Administratori i Njësisë nr. 2, Elez Gjoza, falenderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për angazhimin e treguar, jo vetëm për realizimin e një sërë investimesh të rëndësishme për shkolla dhe çerdhe, por edhe për përmirësimin e infrastrukturës së nevojshme për të gjithë komunitetin e kësaj njësie.
Deri më tani, në Shkollën e Baletit ka përfunduar puna për hidroizolimin e tarracës dhe mbulimin me panel, rikonstruksioni i fasadës me sistem kapotë, veshja me kompozit, suvatimet dhe vendosja e dritareve të reja. Parketi i vjetër i sallës së baletit, i cili ishte dëmtuar rëndë si pasojë e reshjeve të shiut që futej brenda, është zëvendësuar me një parket të ri, ndërsa janë në proces instalimet elektrike, sistemi i ngrohjes dhe ftohjes.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.