Kryeministri Rama shpërndan dekoratat e rralla për “heronjtë e heshtur”, thirrje shteteve: “Na duhet ndihma juaj”
Trupat e kërkim shpëtimit nga vendet e huaja që ndihmuan duke nxjerrë shqiptarët nën rrënoja në Durrës dhe Thumanë pas tragjedisë së tërmetit janë vlerësuar nga kryeministri Edi Rama me një medalje të veçantë, që nuk është dhënë kurrë më parë, ‘Medaljen e Artë për Vlerësim Profesional’. Të gjithë komandantët e forcave të vendeve të BE-së dhe jo vetëm që ishin në Shqipëri në ato ditë të vështira kanë marrë medaljet përmes ambasadorëve në Shqipëri.
“Është një medalje që jepet për herë të parë, ka kohë që është bërë, por nuk është dhënë kurrë më parë, pasi është një medalje që është e vështirë ‘Medalje e Artë për Vlerësim Profesional’. Por lumë ata që do ta marrin më mbrapa dhe do të renditen në radhën e atyre që janë pas këtyre trupave që për na përkushtimi dhe aftësitë profesionale janë ndër gjerat më të çmuara dhe dua që t’iu lutem që t’i përcillni bashkë me medaljet të gjithë komandantëve të këtyre trupave shprehën më të ndjerë të mirënjohjes në emër të popullit shqiptar dhe urimin më të madh për një vit sa më të lumtur në familjen e tyre” tha ai.
Në fjalën e tij para ambasadorëve në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin e fundit të vitit, kryeministri u kërkoi edhe njëherë ndihmë për të përballur faturën e tërmetit, që sipas tij është shumë e lartë:
“Fatura është e lartë dhe besoj që këtë faturë mund ta përballojmë vetëm me ndihmën tuaj. I jam mirënjohës KE-së që vuri në lëvizje një mekanizëm për një shumë të parë, shpresoj që do të pasohet nga të tjera.
U jam mirënjohës shumë udhëheqësve për të organizuar konferencë të madhe donatorësh për të mbështetur Shqipërinë. I kam mirënjohës presidentit turk që mori një angazhim solemn, personalisht për të angazhuar edhe vende të tjera të atij krahu të botës. Ju të mirëkuptoni këmbënguljen time se ne jemi në domosdoshmëri për të pasur mbështetje, asnjë vend nuk do ta përballonte dot vetëm nëse në proporcion territori dhe popullsie do i ndodhte kjo që na ndodhi ne” – tha ai.
Ndërkohë shumë ambasadorë në Shqipëri në fjalën e tyre për pranimin e medaljes kanë shprehur solidaritetin me popullin shqiptar dhe kanë premtuar nisma të tjera konkrete në drejtim të rimëkëmbjes së vendit pas kësaj situate.
Geri Kolgega / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.