Kryeprokurori, intervistohen kandidatët – KLP dhe ndërkombëtarët ndjekin procesin
Gara për postin e Prokurorit të Përgjithshëm ka hyrë në fazën kulminante të mërkurën me tre kandidatët që kanë paraqitur përpara KLP-së platformat e tyre për drejtimin e organit të akuzës. Tre kandidatëve ju drejtuan pyetje nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë por edhe nga partnerët ndërkombëtarë që ndoqën procesin.
Përgjatë intervistave që kanë zgjatur afërisht nga një orë, tre kandidatët, Arta Marku, Fatjona Memçaj dhe Olsian Çela u janë përgjigjur pyetjeve lidhur me vizionin e tyre për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Arta Marku, që e mbulon përkohësisht këtë post ka qenë edhe e para në radhën e tre kandidatëve. Ajo u pyet nga Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë lidhur me detaje të shumta, që nisnin që prej tkurrjes së kompetencave të Kryeprokurorit, te presioni politik që ka shoqëruar punën e saj, e deri te çështje teknike të punës së përditshme. Marku nënvizoi disa mangësi ligjore, që e pengojnë kreun e organit të akuzës të marrë përgjegjësi mbi punën e prokurorëve, ndërkohë që u shpreh e vetëdijshme se ishte anatemuar nga politika.
Kandidatja e dytë, Fatjona Memçaj, Prokurore e Apelit të Tiranës, trajtoi një prej pikave më të dobëta të prokurorisë, atë që ka të bëjë me reduktimin e numrit të prokurorëve për shkak të shkarkimeve nga Vetting-u. Rrugëzgjidhja sipas Memçajt, është delegimi i hetimeve te oficerët e policisë gjyqësore, duke i lënë Prokurorëve drejtimin e hetimeve dhe përfaqësimin e çështjeve në Gjykata.
Konfiskimi e sekuestrimi i pasurive kriminale ishte një prej elementeve kyç të platformës së paraqitur nga kandidati i tretë për Prokuror të Përgjithshëm, Olsian Çela.
Intervistat me gojë janë edhe faza e fundit e mbledhjes së informacionit për vlerësimin e tre kandidatëve. Ditët në vijim KLP do të vijojë me pikëzimin e kandidatëve dhe dërgimin e listës në Kuvend. Brenda 14 dhjetorit, edhe nëse Kuvendi nuk i jep asnjë prej kandidatëve votat e nevojshme, Prokuror i Përgjithshëm përcaktohet automatikisht kandidati me më shumë pikë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.